Kosova28 Shtator 2023, 17:02

Osmani për 'Reuters': Agresioni terrorist i udhëzuar nga Vuçiç

Shkruar nga Pamfleti

Osmani për 'Reuters': Agresioni terrorist i udhëzuar nga

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka komentuar sulmet në veri të Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë oficeri Afrim Bunjaku dhe tre të tjerë u plagosën.

Në një intervistë për “Reuters’”, ajo tha se ‘Kosova është nën sulm’. Osmani ka akuzuar Serbinë dhe presidentin e saj Aleksandër Vuçiç, për sulmin terrorist në Kosovë.

Osmani tha gjithashtu se Serbia ka ende pretendime territoriale ndaj Kosovës dhe po vepron për të përmbushur një ‘model të Krimesë’ duke krijuar tensione në veri të Kosovës, ku rreth 50.000 serbë vendas ende e shohin Beogradin si kryeqytetin e tyre dhe refuzojnë sundimin nga Prishtina.

“Ajo që unë do t’i thosha presidentit Vuçiç është ndalini ngatërresat me Kosovën. Kosova do ta mbrojë lirinë, pavarësinë dhe sovranitetin e saj me çdo çmim. Ata po përpiqen të realizojnë një model të Krimesë në Republikën e Kosovës, por ne absolutisht nuk do ta lejojmë të ndodhë… Ne do të mbrojmë çdo pëllëmbë të territorit të Kosovës”, u shpreh presidentja e Kosovës.

Rusia pushtoi dhe aneksoi rajonin e Krimesë të Ukrainës në vitin 2014 dhe autoritetet e Kosovës kanë frikë se Serbia mund të shkëputë pjesën veriore të Kosovës.

Osmani u shpreh për ‘Reuters’ se sulme të ngjashme mund të përsëriten edhe në një të ardhme të afërt dhe kërkoi nga bashkësia ndërkombëtare që të bëjë gjithçka që Serbia të mos përkrahë grupe të tilla.

“Jam shumë e shqetësuar se sulme të tilla, qoftë edhe më të mëdha, mund të ndodhin në të ardhmen nëse Serbia nuk dënohet, para së gjithash për këtë akt terrorist agresioni”, tha ajo.

Osmani shtoi gjithashtu se bisedimet mes dyve vendeve nuk mund të vazhdojnë si më parë.

“Absolutisht nuk është më si zakonisht. Ne kemi qenë viktima të një agresioni të Serbisë dhe të gjithë duhet ta trajtojnë atë si të tillë, edhe në qasjen e tyre ndaj Serbisë tani e tutje”, përfundoi Osmani.

vjosa osmani agresion kosove