Në takim me gazetarët në Prishtinë, ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka treguar hapur se SHBA është acaruar ndjeshëm me Albin Kurtin. Amerikanët dolën kundër futjes së kryetarëve të rinj në komuna, por Kurti refuzoi këshillat dhe ambasadori ka paralajmëruar se SHBA do kufizojë mbështetjen ndaj Kosovës në arenën ndërkombëtare.
“Më duhet të them se në këtë moment, SHBA-ja nuk ka shumë entuziazëm për të reaguar ndaj disa prej interesave të Kosovës, siç është angazhimi me vendet mosnjohëse, apo puna aktive për të avancuar Kosovën në rrugën euroatlantike. Ndjejmë shumë keqardhje që situata ka ardhur deri këtu, mirëpo më duhet të jem i sinqertë, kështu është situata. Shpresojmë se kryeministri Kurti do ta marrë këshillën tonë dhe do të marrë menjëherë hapa drejt uljes së tensioneve në veri”, tha ai.
Sipas tij, ulja e tensioneve e kthen më pas vëmendjen te zbatimi i plotë i Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Po ashtu sot ai tha se Kosova është përjashtuar nga “Defender 23”, teksa ka paralajmëruar pasoja nëse nuk ka tërheqje nga ana e Kurtit.