
“Për pak u rrëzova kur mora lajmin. Po, po, ky gomar i madh prej 120 kilogramësh, po plandosej sepse e di fare mirë se çfarë do të thotë për vendin tonë ky mandat arresti”...
E përditshmja serioze e Beogradit ‘Danas’, ka shkruar sot një artikull ku bën të ditur se vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës për të nxjerrë një mandat ndërkombëtar arresti për Vladimir Putinin e ka tronditur aq shumë Aleksandër Vuçiçin, sa ai gati është rrëzuar.
Sipas Danasit, elita politike serbe, për shkak të ideologjisë së saj radikale dhe kuazi-socialiste, jeton në iluzion dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e percepton Presidentin e Rusisë si një politikan të madh dhe të pathyeshëm.
Mandati i arrestit ndaj tij është përjetuar aq keq në Beograd, sa ka shkaktuar një traumë të vërtetë.
Vuçiç, menjëherë pas marrjes së lajmit për vendimin e gjykatës ndaj Putinit, urdhëroi mbledhjen e Byrosë për Koordinimin e Shërbimeve të Sigurisë, dhe siç u bë e ditur nga siç raportojnë mediat, ka qenë aq i tensionuar sa i ra tensioni arterial dhe gati u rrëzua.
“Për pak u rrëzova kur më treguan lajmin. Po po ky gomar i madh prej gati 120 kilogramësh (po fliste për veten), gati po plandosej sepse e di fare mire se çfarë do të thotë për vendin tonë ky mandat arresti”, tha Vuçiç në një fjalim para qytetarëve të Sremska Mitrovicës.
Duke e analizuar vendimin, Vuçiç u tha serbëve se Perëndimi ka treguar se do t’i shkojë deri në fund dhe se nuk shqetësohet për përshkallëzimin e mundshëm të konfliktit. Do të rrjedhë shumë ujë derisa të ndalet konflikti në Ukrainë.
Vuçiç shtoi se si Perëndimi, ashtu edhe Putini do ta luajnë lojën deri në fund dhe pasojat do të jenë më të vështira për të gjithë.
Vuçiç deklaroi gjithashtu se Perëndimi do të bëjë presion shtesë ndaj të gjithë atyre që nuk janë kthyer më ashpër kundër Rusisë, si dhe se ata që flirtojnë me Putinin do të vuajnë pasoja tmerrësisht të rënda.
“Kur e them këtë, jam i vetëdijshëm për situatën me të cilën do të përballemi”, shtoi ai, i cili u bë edhe Nostrodamus, duke paralajmëruar qametin, pasi sipas Vuçiçit nuk jemi shumë larg shpërthimit të luftës së tretë botërore, e këtu i është kthyer përvojës së serbëve.
“Nuk kemi humbur as në Luftën e Parë e as në Luftën e Dytë sepse zgjodhëm aleatët e duhur, e kështu do të bëjmë edhe këtë herë”.
Megjithatë në Serbi, ai e di se e ka më të vështirë t’i vendosë sanksione Rusisë sesa të njohë Kosovën.
Deputetja e Partisë Popullore, Vladeta Jankoviç, tha për Danasin, se publiku do ta perceptonte si poshtërsi dhe një ‘thikë pas shpine’ ndaj një miku në telashe.
“Për më tepër, cilit sundimtar autoritar i pëlqen të shohë se në çfarë lloj izolimi mund të futesh kur vendos vetë për gjithçka”, tha Jankoviç.
Zharko Koraç, një psikolog dhe ish-politikan, thotë për Danas se kjo ndodh ngaqë Vuçiç e percepton Putinin si një politikan të madh dhe të rëndësishëm.
“Ky qëndrim ndaj tij vazhdon që nga koha kur ai ishte në Partinë Radikale. Nacionalistët serbë janë mbështetur historikisht tek Rusia, megjithëse Serbia kishte edhe nacionalistë properëndimorë. Vuçiç u trondit kur zbuloi me vonesë se Putini është thjesht një politikan, ylli i të cilit në skenën ndërkombëtare është zbehur përgjithmonë për shkak të luftës në Ukrainë.
Romakët e vjetër do të thoshin në këtë rast: “sic transit gloria mundi”, tha Koraç.
I cili sjell atmosferën e mandatit të arrestit për Sllobodan Milosheviçin, një situatë ku Serbia e njeh shumë mirë. Ndaj shton se Vuçiç e di mirë se çfarë janë gjykatat ndërkombëtare, sepse ish-shefi i tij Sheshel kaloi dhjetë vjet kalvar. Ndaj Koraç shton: “pikërisht ky mandat arresti është një goditje e re për politikën e Serbisë, e cila nuk vendosi sanksione ndaj Rusisë”.
Ndërkaq analisti politik Dragomir Angjelkoviç beson se Perëndimi tani mund të kërkojë më fort nga Serbia vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë. Por ai shton se opinioni publik serb sërish do t'i rezistojë kësaj edhe për shumë kohë.
“Problemi i Vuçiçit është se qytetarët e Serbisë e dinë shumë mirë se çfarë është drejtësia e Hagës. Nga përvoja e tyre dhjetëvjeçare, ata kuptojnë se në çdo variant, përfshirë Gjykatën Penale Ndërkombëtare, është një mjet brutal në shërbim të interesave gjeopolitike të Perëndimit. Akuza e fundit ndaj Putinit i ka kujtuar të gjitha këto edhe shoqërisë serbe, e cila edhe pa këtë nuk ka harruar se asnjë nga gjeneralët dhe politikanët e NATO-s nuk është mbajtur përgjegjës për agresionin ndaj Serbisë. Tani që Vuçiç po lë të kuptohet për mundësinë e afrimit me qendrat kryesore të fuqisë perëndimore, kjo kufizon ndjeshëm hapësirën e tij për manovrim. Kjo është arsyeja pse ai ishte i prekur sinqerisht nga vendimi i gjykatës së lartpërmendur, kundër Federatës Ruse”, deklaroi Angjelkoviç.
Ai shton se “Vuçiç megjithatë po e dramatizon situatën siç bën gjithmonë, duke luajtur rolin e një aktori province, për t'i dërguar një mesazh elektoratit të tij, i cili është totalisht pro-rus. E gjithë kjo nuk do të thotë që në të ardhmen, kur të kalojë tronditja e parë, Vuçiç kërkon të mos i llastojë radikalët e tij, por thjesht do të marrë vendim.
Si një politikan perfid, ai padyshim e kupton se është e vështirë dhe relativisht shpejt, të shtyhet shumica e qytetarëve të pranojnë një politikë që është kundër bindjeve të tyre në lidhje me Kosovën, NATO-n, Rusinë”, tha Angjelkoviç.
Sipas fjalëve të tij, presidenti i Serbisë është dukshëm gjithnjë e më shumë i frikësuar nëse nuk i qëndron fjalës së dhënë ndaj Perëndimit.
Sreçko Gjukiç, publicist dhe diplomat, thotë për Danas se “shoqëria serbe jeton në iluzione të thella nga të cilat nuk mund të dalë, sepse një shoqëri e tillë, larg së vërtetës dhe ngjarjeve reale në botën që na rrethon, është shumë më e lehtë për t'u menaxhuar apo manipuluar”.
“Kjo ka ardhur në radhë të parë nga qeveria prej dhjetë vitesh, dhe më pas e gjithë kjo mbështetet fuqishëm nga e djathta politike dhe inteligjektualët e lidhur me të. Gënjeshtrat, përrallat, mirazhet, janë bota e tyre. Sipas së cilës thuajse jemi gati kur rusët do të mbërrijnë në Danub dhe në shtratin e tij, në Berlin, Paris, Prishtinë e Prizren, e mund të vijnë kur të duan dhe serbët. Asnjë nuk e fut në tru se rusët janë vetëm 140 milionë, ndërsa popullsia e vendeve të NATO-s është mbi 800 milionë, plus 40 milionë ukrainas. GDP e Rusisë është 1500 miliardë dollarë dhe e vendeve të NATO-s të paktën 40 mijë miliardë dollarë. Se dallimi në nivelin shkencor dhe teknologjik është jashtëzakonisht i madh dhe i paarritshëm për Rusinë. Se ka një palë bërthamore dhe në luftën e deritanishme në Ukrainë është treguar se me cilat armë luftojnë rusët dhe me çfarë ukrainasit”, thekson Gjukiç.
I cili shton se “Fakti që masat më të gjera të njerëzve në Serbi jetojnë në iluzion, disi mund të kuptohet, por vetë elita politike, për shkak të ideologjisë së saj radikale dhe kuazi-socialiste, jeton edhe më thellë në këtë botë ireale.
“Ai nuk e kupton se nuk janë vitet 1990, se bota ka ndryshuar, se Millosheviçi nuk ishte i fundit që u akuzua dhe u soll para gjykatës së OKB, thjesht ai ishte i pari, i ndjekur nga Gadafi dhe të tjerët, dhe që sot fjalë për fjalë nuk ka persona të mbrojtur në botën multipolare, si dhe në atë unipolare. Qysh më 24 shkurt 2022, thuhej se presidenti rus mund të akuzohej për agresion, pasuar nga ngritja e një gjykate speciale për krimet në Ukrainë (dhe do të jetë), por gjithçka u parandalua nga Gjykata Penale Ndërkombëtare, e cila është themeluar nga OKB-ja si gjykatë e përhershme dhe që ka filluar të punojë në këtë drejtim. Madje ka mundësi që t’i futet në themel krimeve të presidentit Putin. Kjo e mërzit Aleksandër Vuçiçin, sepse bota nuk është më as Serbi dhe as Rusi” përfundon Gjukiç./Përshtati në shqip: Pamfleti