Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është pajtuar me propozimin e SHBA për zgjedhje të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, por me kushtin që ato të jenë të lira dhe demokratike.
Kryeministri i Kosovës ka thënë se pajtohet për zgjedhje të parakohshme në veri të Kosovës, por së pari, ka thënë ai, duhet që bandat e mbështetura nga Beogradi të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë.
Në një intervistë për televizionin amerikan NBC, Kurti ka thënë se detajet për zgjedhjet e reja do të diskutohen me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak dhe të dërguarin e posaçëm të SHBA-së për Ballkan Gabriel Escobar, të cilët pritet ta vizitojnë Kosovën në javën e ardhshme.
“Nuk e mohoj mundësinë për zgjedhje të reja, por drejtësinë së pari duhet ta vendosim në vend. Njëherë duhet të dalin para drejtësisë bandat në veri. Për de-eskalim, bandat e dhunshme duhet ose të kthehen në Serbi ose të arrestohen në Kosovë dhe pastaj mund të kemi zgjedhje të parakohshme, por ato duhet të jenë të drejta, demokratike dhe të lira”, ka thënë kryeministri Kurti.
“Javën e ardhshme, Lajçak dhe Escobar do të vijnë në Kosovë dhe ne do t’i diskutojmë detajet. Edhe unë besoj në zgjedhje të parakohshme, por na duhen edhe rendi e ligji së pari”, ka shtuar ai.
Kurti ka deklaruar se kryetarët shqiptarë që kanë fituar në komunat veriore kanë legjitimitet të ulët, por sipas tij ata janë të ligjshëm.
“Kryetarët që kanë fituar komunat, kanë legjitmitet të ulët për shkak të pjesëmarrjes së ulët. Ne kemi ftuar qytetarët për të votuar, por Beogradi i ka shantazhuar. Duhet ta ndalojmë Beogradin që të mos i bullizojë serbët e Kosovës”, u shpreh Kurti.
Ai ka thënë se Serbisë, e veçanërisht Rusisë, i pengon që Kosova të ketë sukses si shtet.
“Rusia nuk do që Kosova të ketë sukses si shtet, sepse ne jemi një storie suksesi e NATO-s. Nuk jemi një shtet i madh, por jemi shembull i mirë se si demokracia dhe ekonomia mund të rriten së bashku”, ka deklaruar ai.
I pyetur nga gazetari Chuck Todd nëse forcat policore të Kosovës kanë përdorur dhunë të tepruar, Kurti ka thënë se kjo gjë nuk mund të dëshmohet, ngase Policia e Kosovës është forcë profesionale e trajnuar për vite nga SHBA.
“Nuk ka asnjë provë që Policia e Kosovës është sjellë në mënyrë të gabuar. Ata janë trajnuar për 20 vite nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër kemi bandat, që janë këtu për ta destabilizuar Kosovën”, ka deklaruar Kurti.
Kujtojmë se në fund të muajit Maj, u krijuan tensione në veri të Kosovës me protestuesit serbë që nuk i lejonin kryetarët e rinj të katër komunave me shumicë serbe t’i ushtronin detyrat e tyre nga objektet komunale. Si rrjedhojë, u desh të ndërhyjë Policia e Kosovës, e më pas edhe KFOR-i prej të cilëve 30 morën lëndime trupore gjatë përplasjes me protestues të dhunshëm serbë.
Të enjten (01.06.2023) gjatë një takimi në Moldavi, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, i ka kërkuar presidentes Vjosa Osmani, që sa më parë të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në këto katër komuna në mënyrë që të qetësohet situata. Borrell ka kërkuar po ashtu që të sigurohet se serbët marrin pjesë në procesin zgjedhor si dhe sa më parë të fillohet me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Lini një Përgjigje