Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar sërish në lidhje me vrasjen e policit në veri të Kosovës, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurimit.
Në një konferencë për mediat, Kurti tha se 30 persona të armatosur rëndë janë rrethuar nga policia në Aveçan dhe janë autorët që vranë policin dhe plagosën dy kolegët e tij. Kryeministri Kurti u shpreh gjithashtu se po vijojnë sulmet ndaj policisë së Kosovës, ndërsa u bëri thirrje që të dorëzohen.
"Sulmet mbi policinë tonë janë duke vazhduar. Janë së paku 30 persona të armatosur rëndë që ndodhen nën rrethimin e forcave policore. I ftoj të dorëzohen. Formacion me profesionistë, ushtarak në Zveçan në dhe rrotull manastirit atje. Këto automjete janë pa targa, nuk i posedojnë serbët lokalë dhe askush që është civil në republikën tonë. Këto janë dy kamionët që kanë vendosur tek ura për të bllokuar qarkullimin. Shihni atje një person të maskuar që mban armë krahu që nuk është tipike për policinë.", tha Kurti.
Kurti thotë se grupi prej 30 personash që ka sulmuar makinën e policisë, ku mbeti një efektiv i vrarë, ka ardhur të luftojë në Kosovë. Ai shton se duan paqe, por do arrihet vetëm nëse ata i dorëzohen policisë, pasi janë të rrethuar në një manastir në Zveçan.
"Kanë ardhur të luftojnë në Kosovë. Ne nuk duam luftë ne duam paqe. Dhe paqja do bëhet kur këta mbi 30 persona ti dorëzohen policisë. Kemi të bëjmë me banda të kontrabandës. Këto janë formacioni profesionistë, ushtarake a policore dhe u takon ekspertëve të vlerësojnë se ça janë këto uniforma", tha Kurti.
Kujtojmë se, tensionet janë rritur sërish në veri të Kosovës të banuar me shumicë serbe. Një pjesëtar i policisë së Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur si pasojë e një sulmi me armë në Leposaviç.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:34 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 kur dy persona të maskuar kanë bllokuar rrugën makinës së policisë me dy kamionë në aksin Mitrovicë-Leposaviç.
Më pas ata kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku, polic i Rendit me gradën rreshter, ndërsa i plagosuri është pjesëtar i Policisë Kufitare.