Norvegjia ka siguruar kualifikimin në fazën e 1/16-ave, pasi mposhti me rezultatin 2-1 Bregun e Fildishtë në ndeshjen e zhvilluar në Teksas. Skuadra nordike do të përballet me Brazilin e Nejmarit në raundin e ardhshëm të kompeticionit.
Takimi u zhbllokua në minutën e 39-të, kur Antonio Nusa realizoi një gol të bukur me një goditje të saktë brenda zonës, duke finalizuar në mënyrë perfekte asistin e Martin Odegaard.
Pas avantazhit, Norvegjia krijoi edhe dy mundësi të pastra për të dyfishuar shifrat. Erling Haland dhe Aleksandër Shorloth u gjendën në pozicione të favorshme, por nuk arritën të konkretizonin rastet. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 1-0 të norvegjezëve.
Bregu i Fildishtë reagoi në pjesën e dytë dhe barazoi rezultatin në minutën e 74-t, falë Amad Dialo. I aktivizuar si zëvendësues, sulmuesi përfitoi nga një kombinim i bukur me Nikolas Pepe dhe e dërgoi topin në rrjetë me një përfundim të saktë.
Kur ndeshja po shkonte drejt fundit, Norvegjia riktheu epërsinë. Në minutën e 85-të, pas një kundërsulmi të shpejtë dhe asistit të Patrik Berg, Erling Haland u tregua i saktë përballë portës, duke shënuar golin vendimtar për fitoren 2-1.
Ky ishte goli i pestë i Haland në këtë turne, ndërsa vetëm Lionel Mesi ka realizuar më shumë, me gjashtë gola.
Deri në vërshëllimën e fundit rezultati mbeti i pandryshuar, me Norvegjinë që festoi një fitore të historike dhe kualifikimin për herë të parë në fazën e 1/16-ave, ku e pret një përballje e fortë ndaj Brazilit të Karlo Ançelotit.
Lini një Përgjigje