Rebecca Loos, ish-asistentja e David Beckham dhe gruaja që prej vitesh përflitet se ka pasur një lidhje me të, ka reaguar publikisht pas deklaratave të forta të bëra së fundmi nga Brooklyn Beckham në Instagram.
Djali i madh i David dhe Victoria Beckham publikoi një seri Instagram Stories, ku shprehej se nuk dëshironte të pajtohej me familjen e tij, duke pretenduar se ishin prindërit ata që e kontrollonin dhe i shkaktonin stres, e jo bashkëshortja e tij, Nicola Peltz.
Në këtë klimë tensioni familjar, Rebecca Loos, 48 vjeçe, ish-modele nga Holanda, reagoi përmes komenteve në Instagram, pasi një ndjekës i shkroi:
“Rebecca, duhet t’i shohësh zbulimet e tmerrshme të Brooklyn-it për Davidin, Victorian dhe gënjeshtrat e tyre. Brooklyn po mbështet ata që e dinë të vërtetën. E di që je e lumtur dhe nuk ke nevojë për njohje, por pak më shumë nuk dëmton.”
Përgjigjja e Loos ishte e drejtpërdrejtë dhe mbështetëse ndaj Brooklyn-it:
“Jam shumë e lumtur që ai po mbron veten dhe më në fund po flet hapur! Më vjen shumë keq për gruan e tij, e di si janë!”
Në një koment tjetër ku thuhej: “Ndërhyrje e mrekullueshme nga Brooklyn”, Loos u përgjigj shkurt:
“E vërteta del gjithmonë në shesh”, duke e shoqëruar komentin me një zemër.
Rebecca Loos ka deklaruar më herët se, mbi 20 vite më parë, kur David Beckham ishte tashmë i martuar me Victoria Beckham, kishte pasur një aferë katërmujore me të. David Beckham i kishte quajtur këto pretendime “qesharake” në një deklaratë për The Guardian në prill 2024, por Loos i rikonfirmoi akuzat në një intervistë për 60 Minutes Australia në mars 2025.
Ndërkohë, Brooklyn Beckham vijon të ndajë versionin e tij të ngjarjeve në rrjetet sociale, në mes të thashethemeve të forta që kanë qarkulluar muajt e fundit për marrëdhënien e tij me prindërit. Ai i akuzon ata se po e “sulmojnë” atë dhe Nicola Peltz në shtyp dhe se po përpiqen vazhdimisht të dëmtojnë martesën e tij.
Sipas Brooklyn-it, pas muajsh përpjekjesh për të ruajtur privatësinë, ai nuk kishte më zgjidhje tjetër veçse të fliste publikisht, duke ndezur edhe më shumë debat rreth një prej familjeve më të famshme në botën e showbiz-it.
Lini një Përgjigje