Pas më shumë se 60 ditësh qëndrimi në shtëpinë më të ndjekur në televizion, Grande Fratello VIP ka shpallur fituese Alessandra Mussolini.
63-vjeçarja triumfoi në përballjen finale ndaj Antonella Elia, duke marrë 55.95% të votave në televotimin përfundimtar, kundrejt 44.05% të rivales së saj.
Gjatë gjithë edicionit, rivaliteti dhe marrëdhënia e luhatshme mes dy finalisteve u konsiderua si një nga elementët kryesorë të spektaklit, duke tërhequr vëmendjen e publikut italian.
Pas fitores, Mussolini u shpreh se eksperienca në shtëpi do të mbetet e paharrueshme për të. “Do ta mbaj gjithmonë në zemër këtë përvojë”, tha ajo.
Në festimet pas finales në stacionin televiziv Mediaset dhe kanalin Canale 5, ajo shtoi: “E shijova gjithçka në maksimum, nuk pendohem për asgjë”.
Fituesja do të përfitojë një çmim prej 100 mijë eurosh, nga të cilat gjysma do të dhurohet për bamirësi.
Alessandra Mussolini ka një karrierë të gjatë publike, përfshirë angazhime në politikë në Itali dhe në Parlamentin Evropian, si dhe pjesëmarrje në formate televizive dhe spektakle argëtuese ndër vite.
Kush është Alessandra Mussolini?
Ajo është mbesa e Benito Mussolini, Duces, dhe ka hyrë në politikë në vitet ’90. Gjatë karrierës së saj ka qenë deputete në Parlamentin Italian dhe më pas eurodeputete në Parlamentin Europian. Ka qenë e lidhur me disa forca politike italiane, përfshirë parti të djathta dhe më vonë edhe Forza Italia të Silvio Berlusconi-t, si dhe Aleancën me Lega-n në faza të ndryshme.
Përveç politikës, Mussolini ka qenë aktive edhe në showbiz italian, si modele, aktore dhe këngëtare në fillimet e saj. Në vitet e fundit ajo është bërë më e pranishme në televizion, duke marrë pjesë në reality show dhe programe argëtuese si “Ballando con le stelle” dhe “Grande Fratello VIP”.
Sot, ajo konsiderohet kryesisht personazh televiziv dhe figurë publike mediatike, më shumë se një politikane aktive. Nuk ka detyrë të lartë institucionale dhe shfaqet herë pas here në programe televizive italiane, intervista dhe formate argëtuese.
Lini një Përgjigje