
Nga protesta e ditës së 38-të u bë thirrje për një tubim masiv, ndërsa u kritikua përdorimi i 4 milionë eurove nga fondi i emergjencës për koncertin e artistit amerikan
Protestuesit kanë njoftuar se më 11 korrik, në ditën kur në Tiranë do të zhvillohet koncerti i reperit amerikan Kanye West, do të organizohet një protestë kombëtare.
Thirrja u bë gjatë protestës së ditës së 38-të para Kryeministrisë, ku një prej aktivisteve ftoi qytetarët nga e gjithë Shqipëria t'i bashkohen tubimit.
"Meqë jemi te tema e koncertit të Kanye West, në datën 11 thërrasim sërish protestë kombëtare. Në orën 19:00, me të njëjtin flamur dhe të njëjtin qëllim. Kjo protestë i takon popullit. Çdo vendim që merret, merret para popullit dhe jo pas dyerve të mbyllura," deklaroi ajo.
Gjatë tubimit, protestuesit kundërshtuan edhe vendimin e qeverisë për të financuar me fonde publike organizimin e koncertit, duke iu referuar shumës prej 4 milionë eurosh të akorduara për këtë qëllim.
Një protestuese deklaroi se fondi i emergjencës po përdoret për një koncert, ndërsa, sipas saj, në raste të tjera si tërmetet apo përmbytjet qytetarët nuk kanë marrë të njëjtën mbështetje.
"Sot Edi Rama ka zhbllokuar fondin e emergjencës për të paguar biletat e koncertit të Kanye West. Çdo shqiptar do të paguajë nga xhepi 2 euro për këtë koncert, edhe pse nuk do të marrë pjesë," u shpreh ajo.
Sipas protestueses, fondet publike duhej të ishin orientuar drejt pensionistëve, pacientëve në spitale dhe shtresave në nevojë, duke akuzuar qeverinë për prioritete të gabuara në përdorimin e parave të taksapaguesve.
Protesta kombëtare e paralajmëruar për 11 korrik pritet të zhvillohet në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend ku prej 38 ditësh qytetarët mblidhen për të kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshim të klasës politike.
Lini një Përgjigje