Përplasja mes fituesit të “Big Brother VIP Albania 2”, Luiz Ejlli, dhe ish-finalistit të “Big Brother VIP Albania 5”, Rogert Sterkaj, duket se vazhdon edhe pas përfundimit të spektaklit.
Marrëdhënia mes dy ish-banorëve u tensionua që gjatë qëndrimit të Luizit për 72 orë në shtëpinë e BBVA 5, ku debatet mes tyre u kthyen në një nga temat më të komentuara të formatit. Edhe pas daljes nga shtëpia, duket se raporti mes tyre ka mbetur i acartë.
Së fundmi, Luiz Ejlli njoftoi se së shpejti do të publikojë një këngë të realizuar në mbështetje të protestuesve, një projekt që ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale.
Mes tyre ishte edhe reagimi i Rogert Sterkajt, i cili publikoi në Instagram një postim kritik ndaj këngëtarit shkodran. Edhe pse postimi u fshi pas pak minutash, ai u ruajt nga ndjekësit dhe nisi të qarkullojë në rrjet.
Në reagimin e tij, Rogerti publikoi një foto të Luizit gjatë një podcasti me kryeministrin Edi Rama, duke shkruar:
"Bjondi zbuloi se këngët anti-Rama marrin klikime. Pjesa tjetër shkruhet vetë. Nga artist në komentator brenda natës, është qesharake se si funksionon ndikimi/presioni."
Ai vijoi më tej me një tjetër koment ironik:
"Bjondo, më duket më pak si një këngë proteste dhe më shumë si një strategji marketingu për punën e re. Urime fratello!"
Ndërsa mesazhi që ka tërhequr më shumë vëmendje ishte ai ku Sterkaj ironizonte ndryshimin e qëndrimeve të Luizit:
"Pardje me dy gishta, dje me një grusht në podcast me Ramën, sot i punësuar kundër Ramës dhe pasnesër me gishtin polic!"

Megjithëse postimi u fshi, komentet e Rogert Sterkajt janë bërë virale në rrjetet sociale, duke rikthyer në qendër të vëmendjes raportin e tensionuar mes dy ish-banorëve të “Big Brother VIP” dhe debatet e fundit që lidhen me angazhimin publik të Luiz Ejllit.
Lini një Përgjigje