TAGS-AT E JAVËS

Showbiz20 Janar 2026, 14:19

Pësoi hemoragji cerebrale, shqiptarët mbledhin 200 mijë euro për trajtimin e modeles Dajana Kalo

Shkruar nga Pamfleti

Pësoi hemoragji cerebrale, shqiptarët mbledhin 200 mijë euro

Modelja e njohur Dajana Kalo po përballet me një nga momentet më të vështira të jetës së saj, pasi ka pësuar një hemorragji cerebrale, një gjendje serioze dhe kërcënuese për jetën.

Si rezultat i kësaj gjendjeje të rëndë shëndetësore, Dajana ka humbur aftësinë për të lëvizur dorën dhe këmbën e djathtë dhe ndodhet aktualisht nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor të specializuar. Ajo pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje urgjente kirurgjikale në tru, e ndjekur nga një proces i gjatë rehabilitimi.

Lajmi u bë publik pasi motra e saj, Bora Kalo, hapi një fushatë “GoFundMe” për të përballuar kostot e larta të trajtimit dhe rikuperimit. Fushata ka ngjallur një reagim të jashtëzakonshëm nga qytetarët shqiptarë, të cilët në një kohë rekord kanë arritur të mbledhin rreth 200 mijë euro për ta mbështetur.

Në mesazhin e saj prekës, Bora Kalo shpjegon se Dajana, vetëm 25 vjeçe, ndodhet prej gati një muaji e shtruar në spital në Tiranë, pas hemorragjisë së shkaktuar nga Malformacioni Arteriovenoz, ku enët e gjakut në tru janë të formuara në mënyrë jonormale dhe mund të çahen pa paralajmërim.

Sipas saj, pas operacionit, Dajana do të ketë nevojë për trajtim të specializuar, fizioterapi intensive dhe rehabilitim afatgjatë, ndërsa për një periudhë të gjatë nuk do të jetë në gjendje të punojë apo të ecë dhe të lëvizë anën e djathtë të trupit. Edhe motra e saj do të duhet të ndërpresë punën për t’u kujdesur për të gjatë rikuperimit.

“Çdo donacion, pavarësisht shumës, i jep Dajanës një mundësi më të mirë për shërim dhe një jetë normale. Nëse nuk keni mundësi të dhuroni, shpërndarja e fushatës është po aq e vlefshme për ne”, shkruan Bora Kalo në mesazhin e saj falënderues.

Ngjarja ka prekur thellë opinionin publik, duke dëshmuar solidaritetin e madh të shqiptarëve në momente të vështira njerëzore.

 

 

dajana kalo

Lini një Përgjigje