Një mjek nga Kalifornia është dënuar me tetë muaj arrest shtëpie dhe tre vite liri me kusht, duke u bërë personi i dytë që merr dënim penal në lidhje me vdekjen nga mbidoza të aktorit të njohur.
Bëhet fjalë për Dr. Mark Chavez, mjek në San Diego, i cili ka pranuar fajësinë për akuza penale që lidhen me shpërndarjen e paligjshme të ketaminës, substancë që u gjet në nivele të larta në gjakun e Perry-t pas vdekjes së tij në vitin 2023, në banesën e aktorit në Los Angeles.
Sipas hetimeve federale, Chavez ishte pjesë e një rrjeti të paligjshëm që siguronte ketaminë për Matthew Perry përmes recetave të rreme dhe shitjeve të fshehta. Ai e siguronte substancën nga klinika e tij dhe nga një distributor me shumicë, duke përdorur emrin e një ish-pacienteje pa dijeninë apo pëlqimin e saj.
Ketamina më pas i shitej Dr. Salvador Plasencia, i cili ishte mjeku që ia furnizonte drejtpërdrejt aktorit. Plasencia u dënua më herët këtë muaj me 30 muaj burg.
Hetimi ka zbuluar gjithashtu mesazhe private tronditëse, ku dy mjekët diskutonin për përfitimin financiar nga varësia e Perry-t, duke e tallur aktorin dhe duke e trajtuar situatën e tij si një burim fitimi.
Përveç dy mjekëve, tre persona të tjerë janë përfshirë në këtë çështje dhe pritet të dënohen në muajt në vijim. Mes tyre janë: asistenti personal i Matthew Perry-t dhe një tregtare droge e njohur me nofkën “Mbretëresha e Ketaminës”

Lini një Përgjigje