
Në një vit ku shumë emra të njohur të Kombëtares Shqiptare pësuan rënie të ndjeshme në vlerën e tyre të tregut, ka edhe një tjetër tablo, ajo e lojtarëve që jo vetëm kanë ruajtur vlerën, por e kanë rritur ndjeshëm atë.
Janë 13 futbollistë kuqezi që kanë shënuar progres, një sinjal pozitiv për të ardhmen e përfaqësueses, sidomos në aspektin individual të karrierës së tyre. Kjo listë prej 13 lojtarësh tregon se ka edhe shumë pika drite.
Qoftë emra të rinj në ngritje, qoftë emra me përvojë që po rikthehen fuqishëm, kjo tregon se baza e kuqezinjve është ende e gjallë dhe premtuese. Për stafin teknik dhe për vetë Kombëtaren, ky është një burim shprese sepse nesër këta lojtarë mund të jenë boshti i një përfaqësueseje më të fortë dhe më të qendrueshme.
Porta
Tre portierë kuqezi janë pjesë e këtij grupi të suksesshëm. Alen Sherri, i cili është pjesë e Kaljarit, ka parë një rritje të jashtëzakonshme në vlerë nga 350 mijë në 1 milion euro. Në mënyrë të ngjashme, Mario Dajsinani ka kaluar nga 275 mijë në 400 mijë euro, një shpërblim modest por i qendrueshëm për formën e tij të mirë me Egnatian në Superiore, ku ka qenë një nga më të mirët mes shtyllave.
Edhe Simon Simoni, 20- vjeçari i talentuar që luan me Kaizerslautern në Gjermani, ka vijuar progresin e tij të qetë dhe ka parë një rritje me 100 mijë euro, shenjë e interesit në rritje për një portier që shihet me shumë potencial.
Rikuperon mbrojtja
Rritje për Kumbullën, Mihajn dhe Ismajlin. Tre qendërmbrojtës me përvojë kanë shënuar rritje të fortë vlerash, duke dëshmuar kthimin e tyre në formë pas periudhash me ulje-ngritje. Marash Kumbulla, pas rikuperimit nga dëmtimet, ka kaluar nga 4.5 në 7 milionë euro. Aktivizimet me Espanjolin dhe rikthimi në formë kanë dhënë rezultat në aspektin e vlerës së tij në merkato.
Ardian Ismajli, edhe pse momentalisht është pa ekip, ka parë një rritje të konsiderueshme nga 3 në 6 milionë euro, falë një sezoni individualisht shumë të mirë me Empolin. Stabiliteti dhe pjekuria në mbrojtje e kanë bërë një emër të kërkuar në merkato. Ndërkohë, Enea Mihaj, që sapo firmosi me Atlantën ka kaluar nga 1.5 në 4 milionë euro, një rritje që pasqyron stabilitetin e tij në tri sezonet e fundit në Portugali.
Mesfusha me energji të reja
Pajaziti, Shehu dhe Laçi, në formë. Një nga emrat më interesantë është padyshim Adrion Pajaziti, i cili ka kaluar nga 200 mijë në 800 mijë euro. Mesfushori u dallua me paraqitjet në Kroaci dhe tashmë është në prag të firmosjes me Hajdukun, çka do të jetë një hap i madh për karrierën e tij. Juljan Shehu gjithashtu ka kaluar një fazë të rëndësishme rritjeje.
Me paraqitjet e mira te Vidzev Lodz dhe grumbullimin në Kombëtare, ai ka kaluar nga 250 mijë në 1.2 milionë euro, një rritje prej 950 mijë eurosh. Qazim Laçi, që vazhdon të jetë një nga elementët më konstantë të Kombëtares, ka kaluar nga 2.5 në 4 milionë euro. Sezoni i tij i mirë në Çeki dhe qendrueshmëria kanë dhënë fryt. Medon Berisha, 21 vjeç, ka shënuar debutimin e tij me fanelën kuqezi dhe ka përfituar edhe në treg: vlera e tij është rritur me 500 mijë euro, nga 1 në 1.5 milionë.

Asani dhe Daku
Jasir Asani, ndonëse me një rritje më të lehtë (nga 1 në 1.2 milionë), vazhdon të ruajë emrin në treg falë aktivizimeve të vazhdueshme në Azi. Dhe më i dalluari në këtë listë, padyshim është Mirlind Daku. Sulmuesi ka përjetuar një tjetër sezon të shkëlqyer me Rubin Kazan në Rusi, duke kaluar nga 3 në plot 8 milionë euro. Një rritje prej 5 milionësh, që e pozicionon atë si një nga futbollistët më me vlerë të përfaqësueses shqiptare për momentin.
Adrian Bajrami
Adrian Bajrami përfaqëson një rast të rrallë stabiliteti, por jo pozitiv për moshën që ka.
Mbrojtësi 23-vjeçar i Benfikës ka ruajtur të pandryshuar vlerën e tij prej 1.5 milionë eurosh gjatë gjithë vitit, duke u bërë i vetmi futbollist i kuqezinjve që nuk ka regjistruar as rënie, as rritje.
Kjo mund të shihet si sinjal i besimit që Benfika ka ende tek ai, pavarësisht se Bajrami nuk është një titullar fiks në skuadër. Ai vazhdon të jetë pjesë e planeve të së ardhmes në Lisbonë, dhe nëse gjen më shumë hapësira, vlera e tij mund të marrë një hov pozitiv./Panorama Sport
Lini një Përgjigje