
Kristjan Asllani pritet të mos jetë pjesë e formacionit titullar të Beshiktashit në përballjen e rëndësishme ndaj Fenerbahçes, e programuar për të dielën, më 5 prill. Sipas projeksioneve të fundit, trajneri Sergen Jalçin po mendon një ndryshim në mesfushë, që do ta linte shqiptarin në stol.
Ky vendim do të përbënte një surprizë, duke pasur parasysh se Asllani kishte konsoliduar rolin e titullarit të padiskutueshëm në skuadër. Paraqitjet e tij kanë qenë të qendrueshme, ndërsa rezultatet pozitive të ekipit kanë mbështetur këtë status. Një fitore ndaj Fenerbahçes do t’i afronte më tej objektivit për vendin e dytë në renditje.
Ndryshimi i mundshëm vjen menjëherë pas pauzës së kombëtareve. Asllani ishte aktiv në të dy ndeshjet e Shqipërisë, të cilat përfunduan me humbje, duke luajtur 90 minuta në secilën prej tyre.
Paralelisht, në media është raportuar se Beshiktashi po negocion me Interin për uljen e çmimit të kartonit të mesfushorit. Nëse Asllani mbetet në stol në një ndeshje kaq të rëndësishme, kjo mund të sinjalizojë zhvillime të reja lidhur me të ardhmen e tij në klub.
Lini një Përgjigje