TAGS-AT E JAVËS

Sport12 Shkurt 2026, 23:01

Atletiko e papërmbajtshme, madrilenët mposhtin me poker Barcelonën dhe janë me një këmbë në finalen e Kupës së Mbretit

Shkruar nga Pamfleti

Atletiko e papërmbajtshme, madrilenët mposhtin me poker

Atletiko e Madridit ka hedhur një hap të sigurt drejt finales së Kupës së Mbretit, pasi mposhti Barcelonën me rezultatin e thellë 4-0 në ndeshjen e parë gjysmëfinale. Skuadra e drejtuar nga Diego Simeone vendosi gjithçka brenda 45 minutave të para, duke dominuar përballjen dhe shfrytëzuar maksimalisht gabimet e kundërshtarit.

Supersfida u zhbllokua që në minutën e 6-të. Pas një topi të kthyer mbrapsht nga Erik Garsia, portieri Joan Garsia u tregua i pavëmendshëm dhe nuk arriti ta kontrollojë saktë topin, i cili përfundoi në rrjetë, pavarësisht përpjekjes së tij për ta larguar.

Vetëm tetë minuta më vonë, në të 14-ën, Atletiko dyfishoi shifrat. Pas një aksioni të ndërtuar bukur, Antoni Grizman realizoi pas asistit të Nahuel Molina, duke thelluar avantazhin e vendasve.

Në minutën e 33-të, “Los Kolçoneros” realizuan edhe golin e tretë. Ademola Lukman finalizoi një tjetër aksion model të madrilenëve, pas një pasimi të saktë nga Julian Alvarez.

Barcelona tentoi të reagojë në fundin e pjesës së parë. Në minutën e 37-të, trajneri Hansi Flik vendosi të zëvendësojë Mark Kasadon, pas një paraqitjeje të dobët të 22-vjeçarit, duke aktivizuar në vend të tij Robert Levandovskin.

Megjithatë, në minutat shtesë të fraksionit të parë, Atletiko goditi sërish. Julian Alvarez realizoi golin e katërt, pas asistit të Ademola Lukman, duke vulosur rezultatin përfundimtar në 4-0.

Një situata absurde u regjistrua në minutën e 53-të. Teksa rezultati ishte 4-0, katalanasit gjetën rrugën e rrjetë me Kubarsi.

Por për habinë e të gjithëve, VAR-it iu desh plot 8 minuta kohë, për të marrë vendimin e anulimit të golit të mbrojtësit katalanas. Ky vendim shkaktoi shumë kontestime dhe polemika.

Sikur të mos mjaftonte kjo humbje e thellë, Barcelona u detyrua ta mbyllte ndeshjen me 10 lojtarë, pasi Erik Garsia u ndëshkua me karton të kuq.

Me fitoren 4-0, Atletiko udhëton e qetë drejt ndeshjes së kthimit, ndërsa Barcelonës do të duhet të realizojë një përmbysje të jashtëzakonshme për të siguruar një vend në finalen e Kupës së Mbretit.

atletiko madrid barcelona kupa e mbretit

Lini një Përgjigje