
Barcelona e ka nisur mirë këtë edicion në Ligën e Kampioneve, duk siguruar një fitore të thellë me shifrat 5-0 ndaj Antverp në Grupin H. Skuadra e Çavi Hernandez nuk diskutoi belgët, në radhët e të cilëve luante nga minuta e parë edhe Arbnor Muja.
Katalanasit vendosën shpejt diktatin e tyre me golin e Zhoao Feliks që u dha avantazhin, ndërsa më pas ishte Levandovski dhe një autogol që mbyllën ndeshjen pa u mbushur 25 minuta.
Në pjesën e dytë erdhën golat e Gavit dhe përsëri të Zhoao Feliks, teksa katalanasit shpërdoruan një mori rastesh të tjera para portës kundërshtare.
Rivali i saj kryesor do të jetë Porto, që fitoi në transfertë përballë Shakhtar Donjetck me shifrat 3-2, duke vënë kandidaturën për të vazhduar më tej edhe ajo në këtë turne.
Në grupin G, në “Etihad Stadium”, Mançester Siti përmbysi Sërvena Zvezdën 3-1. Pjesa e parë u dominua totalisht nga kampionët e Europës, por “Qytetarët” nuk kishin shënjestrën e duhur për të ndëshkuar serbët. Kur nuk shënon, e pëson dhe kështu ndodhi. Zvezda befasoi anglezët me golin e Bukari në fundin e fraksionit të parë, e për t’u konfirmuar si gol i rregullt u nevojit ndërhyerja e sistemit VAR. Në pjesën e dytë, skuadra e Guardiolës i ndryshoi fatin takimit me dopietën e Alvarez dhe golin e Rodrit.
Në grupin F, PSG mundi me shifrat 2-0 Dortmundin në Paris. Mbape zhbllokoi takimin me penallti në minutën e 49, ndërsa Hakimi dyfishoi shifrat 9 minuta më vonë. Gjermanët nuk dolën dot në lojën e tyre, duke e patur të vështirë jo vetëm të konkretizonin, por edhe të vendosin në vështirësi kundërshtarin.
Në takimet e tjera, në grupin E, Lacio barazoi 1-1 në shtëpi me Atletikon e Madridit, ndërsa Fejnordi mposhti pastër 2-0 Sëlltikun.