
Pas shokimit në derbin e Milanos, kuqezinjtë luajtën ndeshjen e parë të fazës së grupeve të Champions League, përballë Njukasëllit në “San Siro”, duke mos mundur të shkojë më tepër se një barazim pa gola.
Milanistët ushtruan presion konstant në 20 minutat e para, duke iu afruar 3 herë golit. Fillimisht ishte Zhiru që vendosi në provë Pope, ndërsa më pas radhën e pati Kruniç, por sërish pa rezultat. Një goditje me kokë e Teos elektrizoi stadiumin, por ishte qendrore dhe “gardiani” Pope e neutralizoi përsëri topin.
Në minutën e 74, një krosim fantastik për Leaon nuk u shfrytëzua nga portugezi, që nuk kishte saktësinë e duhur për të gjetur portën.
Pavarësisht tentativave të shumta, skuadra angleze e cila ishte e kënaquur edhe me barazimin arriti t’ja dalë që të mos pësonte në një transfertë të vështirë për ta.
Një rezultat ky që nuk ndihmon klimën e zymtë brenda ambientit të Milanit pas turpërimit në kampionat nga Interi.
Në grupin G, Lajpcigu triumfoi 1-3 ndaj Jang Bojs. Gjermanët realizuan të parët me Simakan, por brenda fraksionit, Elia u kundërpërgjigj me golin e barazimit. 3 pikët e para në grup për ekipin e Ros i dhuroi goli i Shlager, ndërsa goli i Sesko thelloi shifrat. Në Zvicër arbitroi gjyqtari shqiptar Enea Jorgji. Një paraqitje mjaft e mirë nga Jorgji, i cili ishte protagonist në këtë sfidë. Në një rast ku Lajpcigu kërkoi penallti, Jorgji nuk e dha, teksa më vonë kur u thirr nga VAR, vendimi i parë i arbitrit qëlloi të ishte i saktë.