Sport26 Maj 2023, 17:03

Bën ligjin në Kupa, por në shtëpi e "bën ligjin" bashkëshortja, gruaja e Inzagit: E ‘mbyll’ Herët në shtëpi, nuk del pas orës 19:30

Shkruar nga Pamfleti

Bën ligjin në Kupa, por në shtëpi e "bën

Triumfi i Interit në Kupën e Italisë mban patjetër vulën e Simone Inzagit, trajnerit që gjithmonë e më shumë po e konfirmon veten si specialist i këtij kompeticioni dhe jo vetëm. Në vetëm dy sezone në Milano, 47-vjeçari ka sjellë plot katër trofe (2 Kupa Italie dhe 2 Superkupa), duke u bërë trajneri i katërt më i titulluar në historinë e Interit.

Inzagi renditet pas Roberto Mançinit (7), Helenio Herrerës (7) e Zhoze Murinjos (5), ndërkohë që ka mundësinë të mbërrijë portugezin më 10 qershor. Por, ndërkohë që në finalen e Champions-it nuk niset favorit, Interi ka një motiv më shumë për të besuar te trofeu dhe ai është pa dyshim trajneri.

Në dy sezone skuadra e Inzagit është dashur të përballet me 14 rivalë në ndeshjet me eliminim direkt (në Champions League dhe Kupën e Italisë, ashtu si finalet e Kupës dhe Superkupës), duke fituar në fund 13 prej tyre.

Zikaltërit, pasi kanë eliminuar çdo kundërshtar që kanë pasur në Kupën e Italisë në këto dy vite, kanë fituar edhe të katërta finalet kombëtare.

Ndërkohë që në Europë, rivalët e këtij sezoni (Porto, Benfika e Milani) u janë shtuar viktimave të Inzagit, me të vetmen “njollë” të trajnerit që mbetet ai eliminim ndaj Liverpulit në edicionin e shkuar në fazën e 1/8-ave. Italianët humbën 0-2 në “San Siro” dhe fituan 0-1 në “Anfield”, por kjo nuk mjaftoi që të kualifikoheshin, me Liverpulin që nuk e lejoi bilancin e Inzagit të ishte perfekt.

Bashkëshortja – Pavarësisht se tashmë vërshojnë komplimentet, pakkush e ka harruar që Inzagi ka qenë shpesh pranë shkarkimit. Për të rrëfyer përjetimet e eksperiencës së 47-vjeçarit në pankinën zikaltër ka menduar Gaia Lukarielo, bashkëshortja e tij.

“Të jesh me Simonen është e bukur, por shumë e lodhshme, me çdo ndeshje që është si një provim për ne. Në 13-vjet me të, unë jam plakur 26-vite. Nuk e kam aftësinë që ka ai për të qendruar i qetë. Kjo është forca e tij më e madhe, ka shumë presion, e ndien atë, por arrin ta menaxhojë si duhet”, ka thënë Lukarielo për “Diva e Donna”, duke treguar edhe pak nga përditshmëria e familjes Inzagi.

“Ne jemi të privilegjuar. Simone paguhet shumë mirë për të bërë punën që do, por kjo nuk e shmang tensionin që është shumë i lartë. Nuk kemi shumë jetë shoqërore, sepse për Simonen të dalësh në mbrëmje do të thotë të zbresësh në lokalin pranë shtëpisë për të takuar miqtë. Kaq ama, në 19:30 është kthyer gjithmonë në shtëpi. Nuk ndodh asnjëherë të më thotë “po dal për darkë me shokët”. U përkushtohemi fëmijëve, shohim ndonjë ndeshje ose film dhe shkojmë në shtrat.

Si i përjetojnë humbjet e Interit fëmijët? Djali ynë Lorenco qan, dëshpërohet. Luan në akademinë e Interit, është sulmues dhe e ndien shumë përgjegjësinë e babait të tij. Kur Simone shkon të shikojë ndeshjet e tij, ka një efekt të çmendur tek ai dhe te fëmijët e tjerë. Ata e dinë që trajneri i Interit po i shikon dhe ata çmenden. Andrea, djali ynë më i vogël, tani për tani thotë vetëm ‘Forca Inter’ dhe dëshiron të vishet si vëllai i tij, me fanelat e Interit”, përfundoi rrëfimin Lukarielo.

gaia lukarielo bashkëshortja e simone inzagit trajneri i interit