
Gallatasaraji ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt kualifikimit në turin tjetër të Champions League, pasi mposhti Juventusin me rezultatin e thellë 5-2 në një përballje plot ritëm dhe emocione.
Sfida u zhbllokua në minutën e 15-të, pas një rivënieje anësore për Juventusin. Pas një topi të humbur në zonën e bardhezinjve nga Kenan Jildiz, Gabriel Sara përfitoi dhe realizoi me një goditje të bukur me të majtën, duke kaluar në avantazh vendasit.
Reagimi i ekipit të drejtuar nga Luçiano Spaleti ishte i menjëhershëm. Në aksionin e parë pas golit, Andrea Kambiaso krosoi në zonë për Pier Kalulu. Goditja me kokë e francezit u ndal nga portieri Çakir, por Teun Kupmeiners, i vendosur mirë, shtyu topin në rrjetë për barazimin 1-1.
Në minutën e 32-të, Kupmeiners realizoi golin e dytë personal dhe përmbysi shifrat në 1-2, pas një kombinimi me Ueston MekKeni dhe një finalizimi të saktë me të majtën nga brenda zonës.
Dy minuta më pas, Juventus humbi Gleison Bremer për shkak dëmtimi. Mbrojtësi brazilian la fushën duke çaluar dhe u zëvendësua nga Federiko Gati. Në minutën e 37-të, trajneri Spaleti dhe një pjesëtar i stafit të Gallatasarajit u ndëshkuan me kartonë të verdhë për protesta. Pjesa e parë u mbyll me epërsinë 1-2 për italianët.
Megjithatë, pjesa e dytë nisi me ritëm të lartë nga vendasit. Në minutën e 48-të, pas një aksioni të gjatë dhe goditjes së Barısh Alper Jillmaz, ishte Noa Lang që dërgoi topin në rrjetë, duke barazuar në 2-2. Ky ishte goli i parë për holandezin me fanelën e Gallatasarajit, pas transferimit në formë huazimi nga Napoli gjatë merkatos së janarit.
Në minutën e 60-të, Gallata kaloi në avantazh me Davinson Sançez. Mbrojtësi kolumbian përfitoi nga një goditje dënimi e ekzekutuar nga Gabriel Sara dhe me një prekje të saktë mposhti portierin Di Gregorio.
Situata për Juventusin u përkeqësua në minutën e 67-të, kur Huan Kabal mori kartonin e dytë të verdhë pas një ndërhyrjeje ndaj Jılmaz, duke lënë ekipin me një lojtar më pak.
Epërsia numerike u shfrytëzua nga vendasit. Në minutën e 74-të, pas një gabimi në mbrojtje të Lloid Keli dhe presionit të Viktor Osimhen, Noa Lang realizoi golin e dytë personal dhe të katërtin për Gallatasarajin.
Goli i pestë erdhi në minutën e 86-të, kur Sasha Boei, i sapofutur në fushë, përfitoi nga një tjetër pasiguri në mbrojtjen e Juventusit dhe shënoi golin e parë me fanelën e klubit turk.
Me këtë fitore 5-2, Gallatasaraji siguron një avantazh të konsiderueshëm përpara ndeshjes së kthimit, e cila do të zhvillohet më 25 shkurt. Juventusit i duhet një përmbysje e vështirë për të mbajtur gjallë shpresat për kualifikim.
Rezultati konfirmon vështirësitë e bardhezinjve përballë skuadrës turke, ndërsa gjithçka mbetet e hapur deri në sfidën e kthimit.
Lini një Përgjigje