
Në konferencën për shtyp para ndeshjes ndaj Bodo/Glimt, mbrojtësi i Interit, Alesandro Bastoni, ka reaguar për herë të parë publikisht lidhur me episodin e fundjavës në përballjen ndaj Juventusit, ku një simulim i tij çoi në kartonin e kuq për Kalulu.
Pranimi i gabimit dhe pendesa për reagimin
Bastoni deklaroi se ndjeu nevojën të japë versionin e tij për ngjarjen, duke pranuar se e kishte theksuar rënien pas kontaktit në fushë.
“Doja të isha këtu për të dhënë versionin tim të natës të së shtunës. Kur ndjeva kontaktin, e theksova rënien. E them këtë pa probleme. Ajo për të cilën pendohem është reagimi im më pas, i cili ishte shumë i keq teksa isha në versionin tim më konkurrues. Më vjen keq që reagova në atë mënyrë”, u shpreh ai.
Mbrojtësi theksoi se, ndonëse e pranon gabimin, nuk dëshiron që karriera dhe personaliteti i tij të përkufizohen nga ky episod. Ai shtoi se nuk e kishte pritur që situata të merrte përmasa kaq të mëdha mediatike dhe publike.
Akuza për shpifje dhe reagime të ekzagjeruara
Sipas Bastonit, pas incidentit ka pasur reagime të tepruara dhe pretendime të pavërteta.
“Kam dëgjuar shumë njerëz që janë pjesë e sportit të thonë gjëra që nuk ekzistojnë as në qiell e as në tokë. I falënderoj ata që thanë gjërat e duhura, domethënë, që gabohesha”, deklaroi ai.
Futbollisti bëri të ditur se episodi nuk e ka ndikuar personalisht, por shprehu shqetësim për pasojat ndaj familjes së tij. Sipas tij, bashkëshortja ka parë kërcënime me vdekje në rrjetet sociale. Ai përmendi gjithashtu edhe gjyqtarin La Pena, duke theksuar se persona të tillë nuk janë mësuar me ekspozim të tillë publik.
Gjendja psikologjike dhe krahasimi me raste të tjera
Bastoni siguroi se nga ana psikologjike ndihet mirë dhe i gatshëm për t’u rikthyer në fushë. Ai bëri një krahasim me një episod të mëparshëm në ndeshjen ndaj Liverpulit, duke përmendur se situata të ngjashme nuk kanë sjellë reagime të së njëjtës natyrë ndaj lojtarëve të tjerë.
“Ekziston dëshira për të zbritur në fushë përsëri dhe nuk ka ndikuar tek unë”, përfundoi ai.
Interi do të përballet me Bodo/Glimt në një ndeshje me rëndësi, ndërsa deklaratat e Bastonit pritet të qetësojnë debatet e ndezura pas sfidës me Juventusin.
Lini një Përgjigje