
Ndeshja “Finalisima” mes Spanjës dhe Argjentinës, që vë përballë kampionen e Evropës me atë të Amerikës Latine, mund të zhvillohet në Milano. Stadiumi legjendar “San Siro” po konsiderohet si një nga alternativat kryesore për të pritur supersfidën e planifikuar për t’u luajtur më 27 mars.
Fillimisht, kjo përballje ishte planifikuar të zhvillohej në Katar. Megjithatë, për shkak të konfliktit në Lindjen e Mesme, organizatorët janë detyruar të kërkojnë një vend tjetër dhe një vendim pritet të merret sa më shpejt.
Në ditët e fundit, si opsion rezervë është përmendur edhe stadiumi “Santiago Bernabéu” në Madrid. Por, sipas raportimeve, CONMEBOL preferon që ndeshja të zhvillohet në një stadium neutral për të shmangur avantazhin e Spanjës si vendase.
Sipas të përditshmes italiane “La Gazzetta dello Sport”, deri tani nuk ka një vendim zyrtar. Megjithatë, në diskutime kanë mbetur dy alternativa kryesore: Milano dhe Lisbona. Kryeqyteti portugez konsiderohet i përshtatshëm nga ana logjistike, por atraksioni dhe simbolika e “San Siro”-s e bëjnë Milanon një kandidat shumë të fortë. Në këtë drejtim mund të ndikojë edhe ceremonia e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina.
Nëse ndeshja do të zhvillohet në “San Siro”, Argjentina mund të ketë edhe një protagonist që do të luajë praktikisht në shtëpinë e tij. Bëhet fjalë për sulmuesin e Interit, Lautaro Martínez. Futbollisti ka nisur tashmë stërvitjen në fushë për rikthimin nga dëmtimi dhe pritet të jetë i gatshëm për ndeshjen e Interit ndaj Fiorentinës më 22 mars.
Pas rikthimit me klubin, Martínez synon të bashkohet edhe me kombëtaren argjentinase për përballjen ndaj Spanjës, me objektivin për të shtuar një tjetër trofe në palmaresin e tij.
Lini një Përgjigje