Sulmuesi polak Robert Lewandowski ende nuk ka marrë një vendim për të ardhmen e tij.
Në një intervistë për Sportweek, ai nuk dha sinjale të qarta për atë që mund të ndodhë në muajin qershor, kur i përfundon kontrata me Barcelonën, ndërkohë që Milani dhe Juventusi raportohet se shpresojnë ta transferojnë si lojtar të lirë.
Lewandowski u shpreh se për momentin nuk ka asgjë konkrete për të thënë për të ardhmen e tij dhe se është i përqendruar te objektivat e sezonit aktual.
“Sinqerisht, për momentin nuk ka asgjë për të thënë dhe po tregoj të vërtetën. Objektivi im është të arrij në fund të sezonit me sa më shumë fitore, gola dhe trofe. Pastaj do të shohim. Nuk jam duke menduar për këtë dhe ende nuk kam marrë një vendim. Aktualisht nuk është një prioritet për mua”, tha ai.
Sulmuesi polak foli edhe për përballjet e tij me skuadrat italiane, duke kujtuar veçanërisht gjysmëfinalen e Champions League të sezonit të kaluar mes Barcelonës dhe Interit.
“Kemi mësuar shumë nga ajo përballje e dyfishtë. Shënuam gjashtë gola, por pësuam shtatë dhe është e qartë që diçka nuk funksionoi. Nuk humbëm për shkak të meritës së Interit, por për gabimet tona. Gjithsesi, ishte një mësim i rëndësishëm për ne”, u shpreh ai.
Futbollisti 37-vjeçar kujtoi gjithashtu një moment nga fillimi i karrierës, kur ishte shumë pranë transferimit te Genoa.
“Në vitin 2010 isha ende në Poloni dhe po transferohesha te Borussia Dortmund. Genoa ishte e interesuar për mua dhe më ftuan të shihja një ndeshje kundër Sampdorias. Doja të shihja nga afër klubin, stadiumin dhe atmosferën. Për respekt ndaj interesimit të tyre, shkova të shihja derbin në ‘Marassi’. Ishte hera e vetme që kam pasur një kontakt me një skuadër italiane”, tregoi Lewandowski.
Në intervistë, sulmuesi foli edhe për rolin e tij te Barcelona, ku e sheh veten si një figurë që ndihmon lojtarët e rinj të skuadrës.
“Unë dhe shokët e mi të ekipit jemi nga breza të ndryshëm, por për mua ka qenë e lehtë të krijoj një marrëdhënie me ta. Megjithatë, që kjo të funksionojë duhet të jetë një proces i dyanshëm, edhe ata duhet të kuptojnë se kush jam unë”, tha ai.
Lewandowski vlerësoi gjithashtu punën e trajnerit Hansi Flick, i cili sipas tij ka marrë drejtimin e një skuadre shumë të re dhe ka punuar për të gjetur formulën e duhur për stilin e lojës së ekipit.
Ai theksoi se talenti nuk mjafton për të ndërtuar një mentalitet fitues, duke shtuar se lojtarët e rinj duhet të kuptojnë rëndësinë e punës, sakrificës dhe vazhdimësisë për të arritur sukses në afatgjatë.
Lini një Përgjigje