Sport 7 Mars 2023, 21:56

CR7 realizon “gol” edhe jashtë fushës, takon dy fëmijë sirianë dhe dërgon një avion me ndihma për tërmetin

Shkruar nga Pamfleti

CR7 realizon “gol” edhe jashtë fushës, takon dy

Kristiano Ronaldo realizon “gol” edhe jashtë fushës. Pasi ka nisur të shënojë me vazhdimësi me Al-Nasr, fenomeni portugez u bë protagonist edhe i një i gjesti që bëri menjëherë xhiron e uebit. Një fëmijë sirian, i goditur nga tërmeti në vendlindjen e tij, në një video, kishte shprehur dëshirën që të përqafonte idhullin e tij dhe Kristiano Ronaldo nuk u tërhoq pas.

Skuadra e ndërhyrjes së shpejtë arabe, e cila po ndihmon në Siri edhe në këto ditë, që nxori nga rrënojat Rabih Shahin, e morën vogëlushin në Rijad, duke i dhuruar fillimisht mundësinë që të shihte Kristiano Ronaldon nga tribuna dhe në fund të saj ta takonte dhe përqafonte kampionin portugez, i cili dukej shumë i lumtur për këtë takim special.

Një avion me ndihma – Ish-sulmuesi i Mançester Junajtidit, Kristiano Ronaldo, ka dërguar një avion plot me ndihma për të prekurit e tërmetit shkatërrimtar në Siri dhe Turqi. Më shumë se 47 mijë persona humbën jetën dhe 5 milionë mbetën të pastrehë nga fatkeqësia më e madhe natyrore në 100 vite. Sulmuesi i Al-Nasr, kishte ndihmuar në mbledhjen e fondeve përmes ish-shokut të skuadrës te Juventusi, Merih Demiral.

Mbrojtësi turk nxori në ankand një bluzë të firmosur nga ylli portugez. Por pesë herë fituesi i “Topit të Artë” nuk është mjaftuar me kaq dhe “Sportsmail” zbuloi se ai ka nisur një avion plot me ndihma për t’i ardhur në ndihmë njerëzve të prekur nga tragjedia.

Ndihmat kanë qenë tenda, pako me ushqime, veshje, batanije, krevate, ushqime për fëmijë, qumësht dhe pajisje të ndryshme mjekësore. Edhe Lionel Mesi ndihmoi pak javë më parë në shpërndarjen e ndihmave humanitare me një vlerë disa miliona euro.

Sulmuesi argjentinas i kërkoi fondacionit “Leo Mesi”, që të dërgojnë ndihma në vendet e tërmetit. Vëllai i madh i Leos, Matias Mesi, organizon aktivitetet e agjencisë në partneritet me UNICEF. Fondet e dhuruara për të prekurit e tërmetit në Turqi dhe Siri arritën në shifrën e 3.5 milionë eurove.

kristiano ronaldo sulmuesi portugez tërmeti në turqi