
“Mirlind Daku ka kapacitetin edhe për të zëvendësuar Robert Levandovskin te skuadra e Barcelonës”. Deklarata e bujshme vjen nga bashkëlojtari i bomberit kuqezi. Ilia Rozhkov vlerëson jashtëzakonisht Dakun.
Daku po vlerësohet si lojtari më i mirë në ligën ruse, edhe nga lojtarët serbë, ndërsa vazhdon të jetë i lidhur me një largim për në Europë, më saktësisht në Serinë A.
Rozhkov së fundmi në një intervistë për “legalbet.ru”, ka vlerësuar lartë yllin shqiptar, ku ndër të tjera edhe tregoi se e tërë skuadra e Rubin Kazanit ishte e lumtur kur i dështoi kalimi te rivali, Zenit Shën Petersburg.
Daku ndër sulmuesit më të mirë në ligë, mund të luajë kudo në top pesë ligat evropiane.
“Sigurisht të gjithë jemi të lumtur që Daku qendroi me ne. Nuk mendoj se ka nevojë për argument se është një nga lojtarët më të mirë në ligën ruse dhe ndër sulmuesit më të mirë”.
“A kishte frikë në klub se mund të largohet? Sigurisht, ishte gjatë pushimeve. Kur të gjithë panë informatat (që Daku po kalonte te Zeniti) atëherë kishte pikëpyetje se çfarë do të ndodhte. Kur pamë se marrëveshja e Dakut me Zenitin dështoi, atëherë ishim të lumtur”.
“Nëse Dakun do ta blinte për shembull Barcelona për të zëvendësuar Levandovskin, nuk do të ishte i humbur aspak. Mirlindi është lojtar që mund të adaptohet në secilën ligë: Spanjë, Gjermani, Itali. Është nivel i klasit të lartë. Shpresoj që të luajë në Evropë”.
“Daku është person shumë i hapur, nuk pretendon të jetë yll. Mund ta kontaktosh dhe thjesht të bisedosh. Në përgjithësi, e tërë skuadra shkon mirë. Ka shumë komunikim mes të gjithëve”, deklaroi ai.
Lini një Përgjigje