Sport 9 Qershor 2023, 15:59

“E prisja rikthimin në kombëtare”, Armando Sadiku: Rikthejmë emocionet e ‘EURO 2016’, Silvinjo më ka treguar rëndësinë që kam

Shkruar nga Pamfleti

“E prisja rikthimin në kombëtare”, Armando Sadiku:

Sulmuesi Armando Sadiku u rikthye në Kombëtare dhe në konferencën për shtyp para mediave ai u shpreh shumë i lumtur dhe shtoi se shanset për Europian janë të shumta.

Rikthimi në Kombëtare? E prisja që do të më thërriste. Që kur u emërua më ka telefonuar dhe kemi folur. Jam shumë i lumtur sepse e prisja prej kohësh.

Përshtypja e parë? Ka çuna të rinj. Disa i njoh, por ka edhe të rinj, megjithëse edhe këta i njoh. Kualiteti është i madh dhe jemi të gjithë bashkë për një qëllim dhe jam shumë i kënaqur që do të jap kontributin tim në Kombëtare.

E ardhmja? Te Kartagjena kisha 1 vit kontratë. Ata më propozuan të njëjtën kontratë siç e kisha, pasi janë kënaqur. U kam kërkuar kohë pasi erdha në Kombëtare dhe pasi të përfundoj këtu, do të vendos. Po shoh sepse kam edhe oferta të tjera dhe në fund do të vendos.

Mesfusha? Kemi shumë kualitet. Të shohësh se ku luajnë të gjithë, është privilegj. Nuk i kemi pasur ndonjëherë. Ne duhet të jemi të vëmendshëm në çdo aksion te topat që na vijnë, t’i shënojmë. Moldavia është ekip i fortë dhe do të rrijë në mbrojtje, por të mundohemi të shfrytëzojmë rastet sepse e di që do të na furnizojë mesfusha.

Europiani? Jam shumë i bindur dhe kam besim. Nuk ka ekipe të dobëta por grupi na lejon ta arrijmë qëllimin. Nëse kemi edhe mbështetjen e tifozëve dhe me Moldavinë e nisim me këmbën e mbarë, e arrijmë qëllimin dhe shpresoj ta arrijmë e të jem sërish protagonist.

Simbol i Kombëtares? Jam i lumtur dhe e kam vlerësuar Silvinjon, pasi më thirri direkt pas firmës. Më ka treguar se do të jem i rëndësishëm në ekip dhe do të jem në dispozicion në çdo moment që do të ketë nevojë për mua. Shpresoj ta shpërblej në fushë vlerësimin që ka për mua.

Tifozët? Pa ta nuk do të shkonim. Gjithmonë jepnim 100%, por pa mbështetjen e tyre dhe pritjen që na bënin, nuk e arrinim. I bëj thirrje të gjithëve që të na mbështesin sepse kemi nevojë dhe ua shpërblejmë në fushë dhe fitojmë. Shpresoj të kthejmë atmosferën e 2016.

Konkurrenca është e mirë sepse mundohesh të mos gabosh. Ne jemi futbollistë dhe pranojmë zgjedhjet e trajnerit dhe kur na jepet mundësia duhet të japim maksimumin tonë”, tha Sadiku.

armando sadiku sulmuesi i kombëtares ndeshjet me moldavinë dhe ishujt faroe