Sport 8 Qershor 2023, 21:06

Sfidat e “EURO 2024”/ Kombëtarja vijon përgatitjet, Silvinjos i mungojnë 4 lojtarë, por njëri ka arsye madhore

Shkruar nga Pamfleti

Sfidat e “EURO 2024”/ Kombëtarja vijon përgatitjet,

Kombëtarja shqiptare e futbollit vazhdon përgatitjet për ndeshjet ndaj Moldavisë dhe Ishujve Faroe që luan në javët e ardhshme në kualifikueset e “EURO 2024”. Trajneri Silvinjo po sheh të shtohet pak nga pak grupi i futbollistëve të grumbulluar, pasi pjesa më e madhe e tyre kanë mbyllur aktivitetet dhe angazhimet që kishin me klubet përkatëse.

Sot, grupit i janë bashkuar edhe Gjimshiti, Ismajli, Bajrami, Bare dhe Aliji, me këtë të fundit, i cili ka zëvendësuar Balliun e dëmtuar. Ata kanë vazhduar punën normalisht sipas programit të Silvinjos, ndërsa pritet që grupi të plotësohet në ditët në vijim.

Taulant Seferi, Elseid Hysaj, Jasir Asani dhe Kristjan Asllani janë katër emrat që mungojnë dhe të cilët do t’i bashkohen grupit në ditët në vijim. Asllani pritet të jetë i fundit që do të bashkohet me skuadrën, pasi do të jetë në finalen e Ligës së Kampioneve në këtë fundjavë me Interin. Dhe në rast suksesi, nuk është çudi që kthimi i tij në Shqipëri të shtyhet ndonjë ditë më shumë.

kombëtarja shqiptare ndeshjet me moldavinë dhe ishujt faroe