
Mbrojtësi anglez Kajl Uoker ka vendosur t’i japë fund karrierës së tij me përfaqësuesen e Anglisë. Vendimi është bërë publik rreth tre muaj përpara zhvillimit të Kupës së Botës, një kompeticion në të cilin ai pritej të kishte pak hapësirë.
Anësori i djathtë i mbrojtjes nuk ishte më në planet e trajnerit Tomas Tuhel dhe mundësitë për t’u grumbulluar me ekipin kombëtar konsideroheshin minimale. Në këto kushte, futbollisti 35-vjeçar vendosi të mbyllë kapitullin e tij me “Tre Luanët”.
Aktualisht pjesë e Bërnlit në Premier Ligë, Uoker largohet nga përfaqësuesja me një bilanc prej 96 ndeshjesh të zhvilluara. Ndeshja e tij e fundit me Anglinë ishte në mars të vitit të kaluar, në sfidën ndaj Shqipërisë, e fituar nga anglezët me rezultatin 2-0.
Në një deklaratë për publikun, Uoker theksoi se përfaqësimi i Anglisë ka qenë nderi më i madh i karrierës së tij.
“Të luaj për Anglinë ka qenë gjithmonë nderi më i madh i karrierës sime. Sa herë që vishja fanelën, kjo kishte një domethënie të veçantë për mua dhe familjen time. Pas shumë reflektimesh, ndjej se ky është momenti i duhur për t’u larguar dhe për t’i hapur rrugë brezit të ri të lojtarëve”, u shpreh ai.
Mbrojtësi shtoi se largohet krenar për rrugëtimin e tij me kombëtaren dhe mirënjohës ndaj trajnerëve, bashkëlojtarëve dhe tifozëve që e kanë mbështetur gjatë viteve.
“Të përfaqësosh vendin tënd është gjëja më e madhe që mund të bësh në futboll dhe kujtimet me Anglinë do të mbeten me mua përgjithmonë”, përfundoi Uoker.
Lini një Përgjigje