
Edon Zhegrova mund të ndryshojë kampionat pas vetëm një sezoni në Itali. Futbollisti kosovar është prej kohësh në radarët e Evertonit, klub që synon të përfitojë nga situata jo shumë e favorshme që sulmuesi anësor po kalon te Juventusi.
Sipas raportimeve, drejtuesit e klubit anglez po përgatisin një ofertë zyrtare për torinezët në merkaton e verës, me synimin për të siguruar shërbimet e 26-vjeçarit. Juventusi pagoi rreth 20 milionë euro për transferimin e tij nga Lilë, çka nënkupton se një largim i mundshëm do të kërkonte një ofertë të konsiderueshme.
Zhegrova nuk ka arritur të bindë plotësisht me fanelën e Juventusit, edhe pse në disa raste ka treguar potencialin e tij kur është aktivizuar si zëvendësues nga trajneri Luçiano Spaleti.
Një nga momentet më të diskutuara të sezonit mbetet gabimi në ndeshjen ndaj Gallatasarajit në Ligën e Kampionëve, ku kosovari humbi një rast të artë që mund t’i siguronte Juventusit kualifikimin në fazën e 1/16-ave.
Deri tani, sulmuesi ka qenë titullar vetëm në një ndeshje me bardhezinjtë dhe në total ka regjistruar 20 paraqitje me skuadrën torineze.
Pavarësisht hapësirave të kufizuara, Zhegrova mbetet i lidhur me Juventusin me kontratë deri në vitin 2030. Kjo do të thotë se Evertoni, nëse vendos të konkretizojë interesimin, duhet të paraqesë një ofertë të konsiderueshme për të bindur klubin italian të lejojë largimin e lojtarit drejt Premier Ligës.
Lini një Përgjigje