TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Qershor 2026, 12:00

Çfarë fshihet nën këmbët e yjeve? Historia e barit të Kupës së Botës 2026

Shkruar nga Pamfleti
Çfarë fshihet nën këmbët e yjeve? Historia e barit
Ilustrim

Ekspertët zhvilluan zgjidhje të veçanta për secilin stadium, duke marrë parasysh klimën, lartësinë mbi nivelin e detit dhe kushtet e ndriçimit, me synimin që fusha të ofrojë të njëjtën përvojë loje në të gjitha vendet pritëse.

Kupa e Botës 2026 do të nisë më 11 qershor në stadiumin “Azteca” të Mexico City-t, duke hapur një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë. Organizimi i një turneu të tillë kërkon vite të tëra përgatitjeje, ndërsa një nga sfidat më të rëndësishme ka qenë krijimi i fushave me cilësi të njëjtë në të gjitha stadiumet pritëse.

Që nga viti 2017, kur FIFA shpalli Shtetet e Bashkuara, Meksikën dhe Kanadanë si organizatore të Kupës së Botës 2026, specialistët kanë punuar për të siguruar që sipërfaqja e lojës të ofrojë të njëjtat karakteristika, pavarësisht ndryshimeve të klimës, ekspozimit ndaj diellit apo lartësisë mbi nivelin e detit.

Sipas një reportazhi të The Washington Post, projekti nisi me kultivimin e llojeve të veçanta të barit në ferma të ndryshme në Amerikën e Veriut. Pas kultivimit, bari u dërgua në qendra kërkimore për testime të detajuara, përpara se të instalohej në stadiume.

Sfida kryesore ishte nëse një sipërfaqe natyrore mund të ruante cilësinë e saj për javë të tëra brenda stadiumeve, sidomos në ambiente të mbyllura ku ndriçimi natyror është i kufizuar dhe ku fusha përballet me ngarkesën e vazhdueshme të ndeshjeve.

Çdo stadium paraqiste vështirësi të ndryshme. Disa prej tyre përdorin zakonisht sipërfaqe artificiale, ndërsa tetë stadiume kërkuan instalimin e barit natyror mbi ose në vend të fushave ekzistuese sintetike. Pesë stadiume janë të mbuluara, ndërsa stadiumi i Mexico City-t ndodhet në një lartësi të konsiderueshme mbi nivelin e detit.

Në të njëjtën kohë, stadiumet në Vancouver, Seattle dhe Boston përballen me klimë më të freskët dhe më të vranët, ndërsa ato në Miami dhe Monterrey me temperatura më të larta dhe ekspozim më të madh ndaj diellit.

Megjithatë, objektivi mbetet i njëjtë: topi duhet të lëvizë dhe të kërcejë në mënyrë të ngjashme në çdo stadium, ndërsa lojtarët duhet të kenë stabilitet maksimal në sipërfaqen e lojës.

John “Trey” Rogers, profesor në Universitetin Shtetëror të Miçiganit dhe specialist i fushave sportive, deklaroi për The Washington Post se kompleksiteti i projektit u rrit vazhdimisht me shtimin e stadiumeve të përzgjedhura.

Nga ana e tij, shkencëtari i fushave sportive John Sorochan nga Tennessee shpjegoi se studiuesit analizuan secilin stadium veçmas dhe më pas i grupuan sipas karakteristikave të tyre: stadiume të hapura ose të mbyllura, me sipërfaqe artificiale ose natyrore, si dhe kushtet e veçanta të lartësisë në Mexico City.

Zgjidhja përfundimtare ishte përdorimi i llojeve të ndryshme të barit sipas klimës. Në zonat më të ngrohta u zgjodh bari Cynodon dactylon, i njohur për rezistencën ndaj temperaturave të larta, thatësirës dhe përdorimit intensiv. Ndërsa në rajonet më të freskëta u përdor një përzierje e Kentucky bluegrass dhe Perennial ryegrass, specie që përshtaten më mirë me temperaturat më të ulëta dhe kushtet me më pak diell.

Kur të nisin ndeshjet e Kupës së Botës, tifozët do të përqendrohen te lojtarët dhe rezultati. Ndërkohë, ekspertët do të vëzhgojnë me kujdes fushën dhe lëvizjen e topit, për të vlerësuar nëse përgatitjet shumëvjeçare kanë dhënë rezultatin e dëshiruar.

 

boterori kupa e botes bari fifa

Lini një Përgjigje