Shqipëria u mposht nga Luksemburgu në ndeshjen miqësore të zhvilluar në stadiumin “Air Albania”. Takimi u mbyll me fitoren minimale 0-1 të miqve.
Pas përfundimit të sfidës, sulmuesi Taulant Seferi komentoi humbjen, duke theksuar se, pavarësisht kënaqësisë për rikthimin në Kombëtare, rezultati mbetet zhgënjyes.
“Nga aspekti personal, padyshim që jam shumë i lumtur që mora ftesën për Kombëtaren, por njëkohësisht jam i mërzitur që humbëm këto ndeshje”, deklaroi Seferi.
Duke folur për ndryshimet mes trajnerëve dhe mënyrën e lojës, ai theksoi se skuadra po përpiqet të përshtatet me kërkesat e reja taktike.
“Ndryshimi është se trajneri kërkon që të luajmë më shumë me topin. Kjo është diçka që kërkon kohë për t’u ushtruar dhe kemi pasur mangësi në këtë aspekt. Megjithatë, me kalimin e kohës besoj se do të përmirësohemi”, u shpreh sulmuesi.
Seferi foli edhe për mundësinë e aktivizimit në pozicionin e mbrojtësit të djathtë, duke treguar gatishmëri për të ndihmuar ekipin aty ku kërkohet.
“Është e vërtetë që gjatë javës kam provuar edhe në atë rol gjatë stërvitjes. Nëse trajneri më sheh në atë pozicion, jam i gatshëm të luaj edhe aty”, tha ai.
Sa i përket rolit ku ndihet më komod në fushë, Seferi theksoi se preferon të aktivizohet në thellësi, pozicion ku luan edhe me klubin e tij.
“Kam shumë dëshirë të luaj në thellësi. Edhe te klubi im aktivizohem në atë rol dhe jam ndjerë shumë mirë”, përfundoi Seferi.
Lini një Përgjigje