
Bajerni i Mynihut ka marrë një fitore të jashtëzakonshme 8-0 kundër Darmshtadit në javën e nëntë të Bundesligës me të gjithë golat që erdhën në pjesën e dytë.
Pjesa e parë u mbyll në barazim sa i takon rezultatit, por jo sa u takon lojtarëve, duke parë se plot tre futbollistë u ndëshkuan me karton të kuq në 45 minutat e para për herë të parë në historinë e kampionatit gjerman.
Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Klaus Gjasula la fushën e lojës që në minutën e 21. Lojtari i kombëtares ndali futbollistin kundërshtar në mënyrë të parregullt dhe pa kartonin e kuq si lojtari i fundit, duke vendosur në ato momente baraspeshën në numrin e futbollistëve në fushë, ku secila skuadër kishte tashmë nga 10 të tillë.
Në pjesën e dytë erdhi spektakli i golave, me protagonistin kryesor që ishte Herri Kejn, autor i një tregolëshi, i cili është bërë lojtari i parë në historinë e Bundesligës që realizon 10 gola në 9 ndeshjet e para të luajtura në kampionat.
Ishte goli i dytë i anglezit që i befasoi të gjithë, me ish-sulmuesin e Totenhemit që realizoi me një goditje të jashtëzakonshme nga mesi i fushës.
Gjithashtu, Herri Kejn është lojtari i parë në pesë kampionatet kryesore të Europës që ka shënuar 10 ose më shumë gola dhe ka dhënë 5 ose më shumë asiste deri tani në këtë sezon.
Lini një Përgjigje