TAGS-AT E JAVËS

Sport19 Korrik 2025, 16:26

Fidel Ylli valë aferash, PD zbardh skemën e tenderëve miliona lekë dhe emërimeve klienteliste në KOKSH

Shkruar nga Pamfleti

Fidel Ylli valë aferash, PD zbardh skemën e tenderëve miliona

Partia Demokratike ka dalë sot me një deklaratë të fortë, duke akuzuar drejtpërdrejt Fidel Yllin, kreun e Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), për abuzime me tenderë dhe favorizime klienteliste. Sipas PD-së, KOKSH ka ndjekur një model prokurimesh të dyshimta ku mungon konkurrenca dhe favorizohen operatorë të njëjtë në tenderë me vlera milionëshe.

Zëdhënësja për Antikorrupsionin, Genta Vangjeli, ka denoncuar se tenderi për veshje sportive në vitin 2022 me vlerë mbi 1 milion euro, si dhe një tjetër në 2023 me fond prej 4.7 milionë eurosh, janë fituar nga e njëjta kompani. Gjithashtu, edhe tenderët për topa basketbolli dhe volejbolli kanë përfunduar në duart e të njëjtit operator ekonomik, një skemë që, sipas opozitës, tregon mungesë të theksuar transparence dhe devijim të fondeve publike.

PD ka denoncuar edhe një tjetër veprim të rëndë etik: emërimin e një punonjëseje nga biznesi privat i Fidel Yllit në pozicionin e shefes së misionit të Lojërave Olimpike “Paris 2024”. Ky veprim përbën, sipas PD-së, konflikt interesi dhe përdorim të pozicionit publik për përfitime personale.

Në deklaratën zyrtare, PD shpreh shqetësimin për situatën në sportin shqiptar, i cili ndodhet në krizë integriteti. Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar, një strukturë që duhet të ishte e pavarur, drejtohet ende nga Fidel Ylli, pavarësisht një vendimi të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, që është rrëzuar nga Gjykata e Apelit në Shqipëri, një vendim i paprecedentë që ngre dyshime për ndikime politike në drejtësinë shqiptare.

Federata Shqiptare e Futbollit, nga ana e saj, ka pezulluar çdo marrëdhënie ligjore me KOKSH, duke e thelluar më tej krizën në sportin kombëtar. Ndërkohë, ndryshimet e fundit në ligjin “Për Sportin”, të propozuara nga vetë Fidel Ylli dhe të miratuara nga Parlamenti, kanë shtuar pushtetin e KOKSH, duke ngritur shqetësime për kontroll politik dhe përdorim selektiv të fondeve publike.

Deklarata e plotë:

Nën një klimë politike që pasqyron frymën e centralizuar të një partie-shtet, ku autoritetet vendimmarrëse anashkalojnë ligjet , konventat dhe gjykatat ndërkombëtare, sistemi sportiv shqiptar është vendosur përballë një tjetër rasti alarmant abuzimi dhe ndërhyrjeje politike.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), i cili duhet të ishte një strukturë autonome dhe e depolitizuar, po përballet me një krizë të thellë legjitimiteti dhe integriteti.

Drejtuesi aktual i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH), z. Fidel Ylli, vazhdon të mbajë detyrën pavarësisht vendimit të Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë, e cila është rrëzuar në mënyrë të paprecedentë nga Gjykata e Apelit në Shqipëri – një vendim që ngre shqetësime të thella për integritetin e sistemit gjyqësor dhe për respektimin e standardeve ndërkombëtare në sport.

Së fundmi, edhe Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ka pezulluar të gjitha marrëdhëniet juridike me KOKSH (Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar) duke thelluar më tej krizën institucionale.

Në një akt që përforcon kontrollin politik mbi sportin, Parlamenti miratoi me nxitim ndryshime në ligjin ‘Për Sportin’, të propozuara nga vetë kreu aktual i KOKSH.

Ky ndryshim i jep Komitetit një rol të ri dhe të diskutueshëm në organizimin e aktiviteteve jashtë orarit mësimor, duke cënuar kompetencat e federatave dhe duke vënë në pikëpyetje transparencën e përdorimit të fondeve publike.

Po aq shqetësuese janë edhe të dhënat mbi mënyrën e zhvillimit të tenderave dhe prokurimeve nga KOKSH, ku mungesa e konkurrencës dhe përsëritja e të njëjtëve operatorë fitues në tenderë me vlera të mëdha, hedh hije dyshimi mbi procesin.

Përmendim konkretisht tenderin për veshje sportive në vitin 2022 me vlerë mbi 1 milion euro dhe tenderin e vitit 2023 me të njëjtin objekt, me fond prej 4.7 milionë eurosh, si dhe prokurimet për blerje topash basketbolli e volejbolli – të gjitha të fituara nga i njëjti operator.

Më tej, shqetësues është edhe përfshirja e punonjëses së biznesit privat, të z.Fidel Ylli në pozicionin e shefes së misionit të Lojërave Olimpike ‘Paris 2024', duke ngritur dyshime serioze për praktika të papranueshme të menaxhimit të interesit publik.

Duket se Fidel Ylli, ish-deputet i Partisë Socialiste dhe aktualisht Kryetar i KOKSH, gëzon mbështetjen e kryeministrit Edi Rama.

Sporti shqiptar meriton pavarësi, drejtësi dhe integritet. Heshtja nuk është më një opsion.

Lini një Përgjigje