
“Ka një mundësi që të më takojë sërish mua”, deklaronte Denni Xhepa të mërkurën. Një ditë më pas, parashikimi u kthye në realitet. Skiatori 22-vjeçar do të jetë sërish flamurtari i Shqipërisë në Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.
I lindur në Pinerolo nga prindër shqiptarë dhe i rritur në Sestriere, Xhepa përsërit kështu përvojën e Pekinit 2022, kur në moshën 18-vjeçare ishte i vetmi sportist shqiptar në ceremoninë hapëse, të zhvilluar në kushte izolimi për shkak të pandemisë Covid-19.
“Ishte diçka e paharrueshme edhe pse gjithçka ishte e zbehur. Këtë herë do të jetë ndryshe, më e lirë, më reale. Fillimisht mendoja se do të parakaloja në ‘San Siro’, ku për ironi nuk kam qenë kurrë. Në vend të kësaj, do të jem flamurtar në ceremoninë e hapjes që do të mbahet në Livigno. T’i përjetoj sërish emocionet e Lojërave, këtë herë shumë afër shtëpisë sime, do të jetë fantastike: një çmenduri”, shprehet Xhepa.
Katër vite më vonë, ndryshimi nuk është vetëm skenografik, por edhe personal.
“Sot i përballoj Olimpiadat me një vetëdije tjetër. Në Pekin më dukej një garë si gjithë të tjerat. Starti është po ai, bora e bardhë, portat blu dhe të kuqe. Por tani e kuptoj vërtet çfarë do të thotë të përfaqësosh një vend me të cilin ke lidhje gjaku”, thotë ai.
Në Pekin 2022, Denni Xhepa u rendit i 28-ti në sllallomin special. Në Milano-Cortina 2026 ai vjen me më shumë përvojë dhe me bindjen se ka hyrë në fazën e pjekurisë sportive.
Ai do të garojë në sllallomin gjigant më 14 shkurt dhe në sllallomin special më 16 shkurt, duke ruajtur një qasje të matur ndaj rezultateve.
“Kur argëtohem, rezultatet vijnë gjithmonë. Nuk i kam vënë vetes një objektiv të saktë. Dua të jap maksimumin dhe të krahasohem me ata që fitojnë në Kupën e Botës”, shprehet ai.
Këtë herë Shqipëria do të përfaqësohet nga më shumë se një sportist. Në ekip është edhe Lara Colturi, gjithashtu nga Val di Susa dhe po ashtu flamurtare. Vajza e ish-kampiones olimpike italiane Daniela Ceccarelli do të mbajë flamurin kuqezi në ceremoninë që do të zhvillohet në Cortina d’Ampezzo.
“Shpresoj vërtet që Lara të fitojë medaljen e parë olimpike dimërore për vendin tonë. Ka treguar se mund të jetë mes më të mirave. Vjen nga një periudhë e vështirë fizike, por nëse gjen formën, mund të bëjë shumë mirë”, thotë Denni.
Edhe pse jetojnë vetëm pak kilometra larg njëri-tjetrit, mes Cesana-s dhe Sestriere-s, dy sportistët ndjekin programe të ndryshme përgatitore.
“Është e drejtë që secili të ndjekë kalendarin e vet”, shprehet ai.
Zona e Sestriere-s strehon një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh, pjesë e të cilit është edhe familja e Xhepës.
“Babai im erdhi në Itali 30 vite më parë me një anije, pak vite pas zbarkimeve masive në portin e Barit. Disa familje së fundmi janë larguar nga Sestriere, disa në Pinerolo. Por në Colle nuk jemi pak”, thotë ai.
Një detaj simbolik e lidh edhe më fort identitetin e tij sportiv me atë kombëtar: shqiponja në flamurin shqiptar dhe shqiponja në stemën e Ski Club Sestriere, ku është rritur Denni.
Xhepa ka mësuar shqipen në familje, ndërsa me vëllain Sildi flet italisht. Sildi drejton sot barin e shkollës së skive dhe mbetet pikë referimi edhe gjatë stërvitjeve. Babai Hajredin punon si artizan ndërtimi, ndërsa nëna Silvana, ish-kuzhiniere, sot kujdestare, pritet të jenë në tribuna për të ndjekur garat olimpike.
Nëse do të përballej sërish me veten e tij, djaloshin e Liceut Sportiv të Oulx-it që ëndërronte Pekinin, përgjigjja do të ishte e qartë.
“Do t’i thosha të vazhdojë të besojë. Jemi vetëm në fillim. Po vijnë Olimpiadat e mia të dyta, por nuk duhet të rehatohemi kurrë mbi sukseset”, thotë ai.
Denni është një djalë i veçantë, si slallomi që dashuron. Dhe historia e tij, kthesë pas kthese, vazhdon të befasojë./ Corriere della Sera
Lini një Përgjigje