
Tifozët e Cristiano Ronaldos dhe drejtuesit e Al Nassr po kalojnë orë tensioni, ndërsa mbetet e paqartë nëse ylli portugez do të zbresë në fushë në ndeshjen kundër Al Ittihad. Ronaldo ka nisur prej ditësh një protestë, duke refuzuar të luajë dhe të stërvitet, në shenjë kundërshtimi ndaj asaj që ai e konsideron një trajtim favorizues për disa klube të Saudi Pro League në dëm të ekipit të tij.
Shkaku i pakënaqësisë
Sipas burimeve pranë lojtarit, irritimi i Ronaldos është shtuar veçanërisht pas lëvizjeve të fundit në kampionat, përfshirë transferimin e Karim Benzemës, i cili ka ndikuar drejtpërdrejt në balancat e garës për titull. Ronaldo dyshon se vendimet kryesore në kampionat ndikohen nga Fondi Sovran Saudit (PIF), i cili kontrollon si Al Nassr, ashtu edhe Al Hilal.
Protesta dhe paralajmërimi për largim
Në shenjë pakënaqësie, 39-vjeçari refuzoi të luante ndaj Al Riyadh dhe nuk mori pjesë në seancat stërvitore, duke paralajmëruar drejtuesit e klubit dhe të Ligës se është gati të largohet nga Arabia Saudite. Kontrata e tij me Al Nassr është e vlefshme deri në vitin 2027 dhe përfshin një klauzolë largimi prej 50 milionë eurosh. Sipas “TalkSport”, disa klube turke kanë shprehur interes dhe po monitorojnë situatën në prag të merkatos së verës.
Reagimi i Saudi Pro League
Sjellja e Ronaldos nuk është pritur mirë nga drejtuesit e Saudi Pro League. Nëpërmjet një komunikate për shtyp, Liga hodhi poshtë pretendimet e portugezit, duke theksuar se të gjitha klubet veprojnë në mënyrë të pavarur dhe sipas të njëjtave rregulla.
“Askush, pavarësisht rëndësisë që ka, nuk mund të qëndrojë mbi klubin apo ligën dhe të ndikojë në aktivitetin e tyre. Klubet janë të pavarur dhe secili operon brenda të njëjtës rregullore”, u shpreh zëdhënësi i Ligës në një reagim për BBC, pa përmendur emra konkretë.
Qëndrimi i Al Nassr
Në kampin e Al Nassr, për momentin nuk ka alarm të kuq. Drejtuesit e klubit janë të bindur se protesta do të mbyllet shpejt, edhe për faktin se është në interesin e vetë Ronaldos të luajë rregullisht për të ruajtur formën optimale, veçanërisht në prag të angazhimeve ndërkombëtare. Megjithatë, e ardhmja e tij pas kësaj periudhe mbetet e hapur.
Nga simbol në shqetësim
Cristiano Ronaldo, lojtari që ndryshoi imazhin e Saudi Pro League dhe u konsiderua një bekim për futbollin saudit, po shndërrohet gradualisht në një shqetësim. Protesta e tij ka kaluar kufijtë e një pakënaqësie të heshtur dhe nuk është pritur mirë nga opinioni publik në Arabinë Saudite. Tifozë dhe analistë i kujtojnë se ai paguhet rreth 585 mijë euro në ditë për të luajtur, jo për të bojkotuar aktivitetin sportiv.
Situata mbetet në zhvillim, ndërsa vendimi i Ronaldos për të ardhmen e tij pritet të ketë ndikim të drejtpërdrejtë jo vetëm për Al Nassr, por për gjithë kampionatin saudit.
Lini një Përgjigje