Gjermania ka siguruar një fitore të vështirë ndaj Bregut të Fildishtë me rezultatin 2-1, në ndeshjen e dytë të Grupit E.
Takimi nisi me gjermanët që kontrollonin më shumë topin dhe përpiqeshin të impononin ritmin e lojës. Megjithatë, skuadra e drejtuar nga Julian Nagelsmann e pati të vështirë të gjente hapësira përballë një kundërshtari fizikisht të fortë dhe të rrezikshëm në kundërsulme.
Lojtarët e Bregut të Fildishtë fituan shumë duele individuale dhe disa herë krijuan situata të rrezikshme para portës gjermane. Në minutën e 30-të erdhi edhe surpriza e ndeshjes, kur Franck Kessie përfitoi nga një top i kthyer në zonë dhe e dërgoi në rrjetë, duke kaluar afrikanët në avantazh 0-1.
Pas golit të pësuar, Gjermania shtoi presionin në sulm, ndërsa kundërshtarët u përqendruan në mbrojtje, duke mbyllur mirë hapësirat dhe duke i vështirësuar ndjeshëm aksionet e gjermanëve.
Në pjesën e dytë, Bregu i Fildishtë vazhdoi të luante me zgjuarsi dhe agresivitet, duke e mbajtur larg portës skuadrën kundërshtare dhe duke krijuar dy mundësi të mira për të dyfishuar rezultatin. Por mungesa e konkretizimit u kushtoi shtrenjtë.
Në minutën e 68-të, Deniz Undav, i aktivizuar nga stoli, arriti të barazonte shifrat, duke rikthyer ekuilibrin dhe duke rihapur plotësisht sfidën.
Sulmuesi gjerman ishte sërish protagonist në vazhdim, teksa me një goditje brenda zonës mposhti portierin kundërshtar dhe vulosi përmbysjen e rezultatit. Goli i tij i dytë i siguroi Gjermanisë tre pikë të rëndësishme dhe kualifikimin në fazën tjetër të kompeticionit.

Lini një Përgjigje