TAGS-AT E JAVËS

Sport20 Qershor 2026, 22:28

Mbape drejt ndeshjes së 100-të me Francën, një rekordmen që vazhdon të shkruajë histori

Shkruar nga Pamfleti
Mbape drejt ndeshjes së 100-të me Francën, një rekordmen
Kilian Mbape

Kilian Mbape është gati të shënojë një tjetër moment historik në karrierën e tij me Kombëtaren e Francës. Sulmuesi 27-vjeçar pritet të luajë ndeshjen e 100-të me fanellën e “Gjelave” në sfidën e së hënës ndaj Irakut, duke konfirmuar statusin e tij si një nga futbollistët më të rëndësishëm në historinë e përfaqësueses franceze.

E kujtoj ardhjen e tij te kombëtarja franceze. Ishte një adoleshent, por një fenomen për moshën e tij, një fenomen në shpejtësi dhe efikasitet”, ka deklaruar Gaj Stefan, ndihmësi i trajnerit Didier Deshamp, duke kujtuar debutimin e Mbape më 25 mars 2017, kur ai ishte vetëm 18 vjeç.

Që nga ajo ditë, sulmuesi francez ka zhvilluar 99 ndeshje me kombëtaren, duke shënuar 58 gola. Ky bilanc e ka vendosur atë mes figurave më të rëndësishme të futbollit francez dhe një nga protagonistët kryesorë të brezit të tij.

Mbape ka lënë gjurmë të thella edhe në Kupat e Botës. Ai ka kaluar rekordin e legjendës Xhast Fontein, i cili kishte realizuar 13 gola në Botërorë, ndërsa vetë numëron 14 gola në kompeticionin më prestigjioz të futbollit. Sulmuesi francez tashmë i afrohet Lionel Mesit dhe Miroslav Kloses, të cilët kanë realizuar nga 16 gola në fazat finale të Kupës së Botës.

Debutimi i tij me Francën erdhi në fitoren 3-1 ndaj Luksemburgut më 25 mars 2017. Në atë takim ai luajti 15 minutat e fundit, pasi u aktivizua në vend të Dimitri Paje. Vetëm pesë ndeshje më vonë, më 31 gusht 2017, Mbape realizoi golin e tij të parë me kombëtaren në fitoren 4-0 ndaj Holandës në “Saint-Denis”, në kualifikueset e Botërorit “Rusi 2018”.

Në Kupën e Botës 2018, ku Franca u shpall kampione, Mbape luajti në të gjitha ndeshjet dhe shënoi katër gola. Katër vite më vonë, në “Katar 2022”, ai zhvilloi një tjetër turne të jashtëzakonshëm, duke realizuar tetë gola. Tre prej tyre erdhën në finalen spektakolare ndaj Argjentinës, e fituar nga amerikano-latinët pas goditjeve të penalltive.

Në këtë edicion, Mbape ka shënuar dy gola dhe mbetet pika kryesore e referimit për kombëtaren franceze, e cila kërkon më shumë nga kapiteni i saj në rrugëtimin drejt objektivave të ardhshëm.

Me 99 paraqitje, Mbape renditet tashmë mes 10 futbollistëve me më shumë ndeshje në historinë e Francës. Para tij ndodhen emra legjendarë si Didier Deshamp (103 ndeshje), Patrik Vieira (107), Zinedin Zidan (108), Marsel Dezai (113), Tierri Henri (123), Antoin Grizman dhe Olivier Zhiru (137 secili), Lilian Turam (142) dhe Hugo Loris (145), nga i cili trashëgoi edhe shiritin e kapitenit.

Deri më tani, Mbape ka grumbulluar 7.969 minuta me kombëtaren dhe ka qenë titullar në 84 ndeshje. Statistikat e tij përfshijnë 15 ndeshje në tre Kupa Bote, nëntë ndeshje në dy Kampionate Evropiane, 29 takime kualifikuese për Botërorë dhe Evropianë, 21 paraqitje në Ligën e Kombeve – trofe që e fitoi në vitin 2021 – si dhe 25 ndeshje miqësore.

Vetëm 27 vjeç, Kilian Mbape ka ende shumë kapituj për të shkruar me fanellën e Francës. Sfida ndaj Irakut do të jetë një tjetër gur kilometrik në një karrierë që vazhdon të pasurohet me rekorde dhe arritje të jashtëzakonshme.

kilian mbape sulmuesi francez kupa e botës

Lini një Përgjigje