
Kombëtarja gjermane luan në muajin mars dy ndeshje miqësore ndaj Perusë dhe Belgjikës, ndaj trajneri Hansi Flik, ka vendosur të bëjë ndryshime të mëdha në radhët e përfaqësueses që ai drejton. Gjermania po tenton të ndërtojë një cikël të ri, pas dështimeve radhazi dhe lëvizjet kanë qenë të shumta.
Jashtë janë Myler e Gyndogan, por edhe Rudiger, Shyle apo Sane, të gjithë emra të rëndësishëm për futbollin gjerman. Trajneri bëri të ditur në konferencë për shtyp se zgjedhja e tij kishte të bënte me faktin se do të tentonte të rinj dhe se emrat e zakonshëm nuk kishte pse të mbingarkoheshin në këtë periudhë të sezonit.
“Mendojmë se në këtë fazë të sezonit nuk po i sjellim lojtarët për tetë ditë. Në shtëpi ata mund ta shfrytëzojnë kohën më mirë dhe të rimbushin bateritë. Ne kemi nevojë për hapësirën për lojtarët e rinj që duam të shohim tani. Ne kemi për detyrë të kërkojmë alternativa, ndaj duhet të fillojmë në mars”, tha trajneri.
Ndërkaq, janë afruar 5 emra të cilët do të jenë debutues në këtë grumbullin. Josha Vagnoman, Marius Volf, Feliks Nmeça, Kevin Shade dhe Mërgim Berisha janë për herë të parë me gjermanët. Berisha, i cili në të kaluarën ka qenë në kontakte me Shqipërinë dhe Kosovën, ka qenë rregullisht pjesë e përfaqësueseve të moshave të Gjermanisë.
Berisha, i huazuar tek Augsburgu për këtë sezon, është duke shkëlqyer me 8 gola dhe 4 asiste në Bundesligë.
Në një intervistë për "Br24sport" para dy javëve, Berisha sërish e pranoi se ishte duke e pritur Gjermaninë, pavarësisht se ishte dëshpëruar që nuk ishte thirrur për Kupën e Botës 2022 në Katar.
"Nuk do ta kisha probleme ta shtyjë datën (e dasmës)",- tha Berisha duke qeshur, pasi ai u pyet lidhur me një ftesë të mundshme nga Hansi Flik për Kampionatin Evropian verën e ardhshme.
Futbollisti kosovar 24-vjeçar, Mërgim Berisha, ka qenë pjesë e Gjermanisë U-21, ku ka zhvilluar 13 ndeshje dhe shënuar një gol. Ai nuk ka luajtur më me një fanelë gjermane që kur u shpall kampion Europe për të zë verën e kaluar.