Xhoi Nuredini do të vazhdojë të jetë pjesë e Xhenoas edhe për katër vitet e ardhshme. Klubi italian i Serisë A ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës së talentit shqiptar deri në vitin 2029, një lëvizje që dëshmon besimin e madh të drejtuesve ndaj potencialit të 18-vjeçarit.
Për Nuredinin, sezoni i fundit ishte i mbushur me emocione të forta. Në moshën 18-vjeçare ai realizoi ëndrrën e debutimit në Serinë A, por më pas u përball me një moment të vështirë, pasi në muajin shkurt pësoi këputje të ligamentit të kryqëzuar anterior (ACL). Dëmtimi e detyroi t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale në muajin mars.
Drejtori sportiv i Xhenoas, Diego Lopez, vlerësoi talentin e futbollistit shqiptar dhe mbështetjen që klubi do t’i ofrojë gjatë periudhës së rikuperimit.
“Xhenoa vazhdon të jetë një vatër talentesh dhe historia e Xhoit është një nga dëshmitë më të qarta të kësaj. Tani përgjegjësia jonë është të ndihmojmë në rritjen e lojtarëve premtues si ai dhe ta shoqërojmë në mënyrën më të mirë drejt pjekurisë së plotë, edhe në momente të vështira si ky që po kalon. Jemi të bindur se do të dalë prej kësaj periudhe edhe më i fortë se më parë”, deklaroi Lopez.
Pas firmosjes së kontratës së re, edhe vetë Nuredini shprehu mirënjohjen për mbështetjen e klubit dhe optimizmin për rikthimin në fushën e lojës.
“Ka qenë padyshim një vit i veçantë për mua, me debutimin në Serinë A dhe më pas me dëmtimin e ligamentit. Kjo zgjatje kontrate më jep motivim dhe përgjegjësi, si edhe më transmeton besimin e madh të klubit, i cili nuk më ka munguar kurrë me mbështetjen e tij. Mezi pres të rikthehem në fushë”, u shpreh futbollisti shqiptar.
Vlen të theksohet se debutimi i Nuredinit në elitën e futbollit italian erdhi falë besimit të trajnerit Daniele De Rosi. Megjithatë, mesfushori i Kombëtares shqiptare U-19 do të duhet të presë edhe disa muaj për të përfunduar procesin e rikuperimit dhe për t’u rikthyer në dispozicion të skuadrës.
Lini një Përgjigje