
Nedim Bajrami mund të përfitojë nga një situatë e re te Rejnxhërs, pas dëmtimit të mesfushorit Mohamed Diomande, i cili pritet të mungojë për pjesën e mbetur të sezonit. Lojtari do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke lënë një boshllëk të rëndësishëm në mesfushën e ekipit skocez.
Në këtë kontekst, mediat në Skoci e shohin Bajramin si një nga alternativat për të mbuluar mungesën. Mesfushori i Kombëtares shqiptare nuk ka qenë zgjedhje e preferuar e trajnerit Dani Rohl deri më tani, por situata aktuale mund të ndryshojë rolin e tij në skuadër.
Fillimisht, Bajrami pritet të konsiderohet si opsion nga stoli, ndërsa në vijim nuk përjashtohet mundësia që të fitojë më shumë minuta në fushë. Eksperienca e tij mund të peshojë në krahasim me lojtarët e rinj të akademisë, të cilët gjithashtu janë alternativa për trajnerin.
Testi i parë për këtë ndryshim pritet të vijë që këtë të shtunë, kur Rejnxhërs do të përballet me Aberdenin në shtëpi.
Lini një Përgjigje