
Mëngjesin e sotëm, lajmi për vdekjen e Diogo Zhotës tronditi të gjithë botën e futbollit. Ish-sulmuesi i Liverpulit dhe kombëtares portugeze mbylli sytë përgjithmonë si pasojë e një aksidenti automobilistik në Spanjë.
Së bashku me 28-vjeçarin pasagjer në automjet ishte dhe i vëllai, i cili pati të njëjtin fat tragjik. Padyshim ndarja nga jeta e Diogo Zhotës ka hidhëruar në zemër të gjithë botën e sportit dhe tifozët e të gjitha ekipeve.
Por kush ishte Diogo Zhota? Gjatë gjithë karrierës së tij futbollistike, sulmuesi portugez shquhej për talentin e tij, disiplinën dhe një njeri që kurrë nuk krijonte konfilkte. Zhota e nisi karrierën e tij me një ëndërr të madhe, të ngjitej në majat e futbollit botëror.
Në të ftohtin e 20 shkurtit të vitit 2015, djaloshi 18-vjeçar bëri debutimin e tij në futbollin profesionist me fanelën e Paços de Ferreira. Në klubin portugez, Zhota qendroi për dy vite ku regjistroi 41 paraqitje dhe arriti të shënojë 14 gola.
Në vitin 2016, Diogo Zhota bëri një “kërcim” të madh duke u transferuar tek Atletiko e Madridit për 7 milionë euro. Megjithatë, i ndjeri nuk e mori kurrë besimin e trajnerit Diego Simeone, duke u huazuar te Porto në sezonin 2016-2017, ku shënoi tetë gola në 27 paraqitje. Ndërsa në sezonin 2017-2018 u bë pjesë e Ullverhempton sërish si i huazuar, duke arritur 17 rrjeta të prekura në 44 takime të luajtura.
Sërish nuk e pati besimin në kryeqytetin e Spanjës, duke bërë kështu që Zhota të transferohej përfundimisht tek Ullverhempton për 14 milionë euro në vitin 2018. Ish-sulmuesi portugez u bë një lojtar tepër themelor në fushë për “ujqërit”, duke qëndruar aty për dy vite.
Një ëndërr e madhe e realizuar e Diogo Zhotës, ishte debutimi me kombëtaren e Portugalisë në nëntor të vitit 2019, ku të kuqtë mposhtnin Lituaninë me shifrat 6-0.
“Trampolinën” e madhe, Diogo Zhota e mori në vitin 2020, ku u vëzhgua nga Jurgen Klop. Kjo bëri që Liverpuli të paguante 44.7 milionë euro për të transferuar yllin e Ullverhempton në atë periudhë, një dëshirë e madhe e trajnerit gjerman.
Mosaktivizimi për asnjë minutë të vetme tek Atletiko e Madridit dhe zhgënjimi i tij, u shpërblyen duke realizuar një ëndërr të madhe të Zhotës, duke u bërë pjesë e “The Reds”. Menjëherë pas transferimit të tij në Liverpul, portugezi ishte në planet e trajnerit Jurgen Klop.
Debutimin e tij me kampionët e Premier Ligës, Zhota e bëri në shtatorin e vitit 2020 ku Jurgen Klop i besoi cilësive të tij. Deri në ndarjen nga jeta të tij, portugezi ishte një ndër sulmuesit kryesorë te Liverpuli, po ashtu edhe në Premier Ligë.
Spektakli që ai dhuronte dhe ritmi në fushën e blertë, u përkthyen në rezultate të kënaqshme për “The Reds”. Në 182 ndeshje të zhvilluara me Liverpulin, Diogo Zhota arriti të shënojë 61 gola dhe 26 asiste.
Sezoni i fundit me klubin britanik ishte fantastik për portugezin, duke u kurorëzuar si kampionë të Anglisë. Por jo vetëm me skuadrën e tij, Zhota arriti majat edhe me kombëtaren portugeze.
Në 49 paraqitje me “luzitanët”, sulmuesi realizoi 14 gola. Gjithashtu, fitoi dy trofe të Ligës së Kombeve, i fundit më datë 8 qershor ku triumfuan ndaj Spanjës në finale.
Aksidenti automobilistik në Spanjë, i la Diogo Zhotës përgjysmë atë që dëshironte të bënte, të luante futboll.
Lini një Përgjigje