
Ndonjëherë ajo që ne të gjithë kërkojmë ne jetë është vetëm një person që të investojë besim të madh te ne. Në fakt, gjithçka është psikologjike dhe nëse e ke psikologjinë e lartë me vete, mund të kalosh mure të ngritura imagjinarë që më parë ishin të pamundura për të shkuar qoftë edhe afër tyre, jo më për t’i kaluar ato. Dhe këtu dalim tek Asllani! Nëse do të flasim pozitivisht për Kristjan Asllanin në këtë moment, pas një barazimi me shije humbjeje ndaj Serbisë dhe një barazimi tjetër me shije humbjeje me Letoninë, të gjithë do të reagojnë: “Po vazhdoni me përralla, çfarë na duhet Asllani tek Interi kur nuk na ndihmoi me Shqipërinë?”.
Në fakt, këtu qendron edhe ndryshimi, sepse Kristjan Asllani me Kivu është në një nivel tjetër nga Kristjan Asllani i Inzagit. Dhe në ndeshjet e qershorit ne kemi parë Kristjan Asllanin e Inzagit, të Kivu, do ta shohim në shtator. Por çfarë ka ndodhur? Frika e madhe, presioni i ardhur nga Inzagi dhe mungesa e besimit të trajnerit, bënë që Kristjan Asllani të bënte shumë hapa pas dhe të humbte shumë pikë mes vlerave të tij. Tifozët e Interit nuk e donin më, gabime të njëpasnjëshme dhe valixhet ishin gjithmonë gati, të vetmit që e besuan deri në fund ishin drejtuesit.
Por mos të harrojmë sesi shkoi Asllani tek Interi, në një moshë fare të vogël dhe deklarata e parë ishte nga Lukaku për të: “Është 20 vjeç, por më habit, mendon si një 30-vjeçar në fushë”. Dhe nëse Lukaku mund të ketë folur përçart, atëherë kemi rastin tjetër, Di Markon. Në ndeshjet e para që Asllani po luante me Interin në miqësoret përgatitore para sezonit, Di Marko i kërkonte lojtarëve të tjerë që të largoheshin nga topi sepse goditjen e dënimit duhej ta gjuante Kristjan Asllani. Një lojtar i ri, i vogël, i sapoardhur dhe Di Marko kërkonte nga shokët e ekipit që t’ia linin topin Asllanit. Dhe pasi shkëlqeu në ato miqësore, Inzagi nuk e aktivizoi më kurrë në kampionat. Ulje në stol, mungesë vetëbesimi, për të ardhur tek ajo humbje rasti i pastër ndaj Barcelonës në Champions League dhe pjesa tjetër është histori.
Në një situatë të tillë ishte edhe Granit Xhaka tek Arsenali para disa vitesh, madje në një ndeshje tifozët e vërshëllyen duke kërkuar largimin e tij, shumë më keq se Asllani, por më pas me performancat fantastike të zhvilluara, u kthye dashuria për të. Dhe Kivu duket se do ta kthejë Kristjan Asllanin në një rast si Granit Xhaka. 3 ndeshje ka zhvilluar Asllani titullar në 3 sfidat e zhvilluara të Interit në Botërorin e klubeve, që mori vendin e parë në grup.
Dje kundër River Plejtit në fitoren 2-0, Asllani luajti për 90 minuta dhe shkëlqeu në fushë, Kivu nuk e hoqi në asnjë moment. Madje edhe kur hyri talenti i madh i Dinamos së Zagrebit, Susiç, Kivu hoqi Barelën dhe la Asllanin në fushë. Asllani ishte lojtari që krijoi më shumë raste në ndeshje nga të gjithë lojtarët e Interit, 4 raste të pastra. Gjithashtu Asllani prodhoi të dy golat e Interit, nisi aksionin e golit të parë ku i dha topin Susiç dhe ky i fundit pasoi tek Esposito që shënoi golin dhe më pas Asllani prodhoi asistin e Bastonit.
Pa harruar faktin që Inter-River Plejt ka qenë dje me tempin e një ndeshjeje Brazil-Argjentinë, 90 minuta vrapim, 90 minuta luftë, 90 minuta duele fizike dhe një intensitet që ishte i çmendur, i çmendur. Asllani e mbajti këtë nivel duke shkëlqyer, nuk po kthente më topin mbrapa, gjithmonë e gjente korridorin për ta nisur aksionin përpara, nuk ishte i mërzitshëm dhe po i hynte dueleve fizike duke fituar edhe ato që e ka pikën e tij më të dobët.
Para disa kohësh në mediat italiane thuhej se Riçi i Torinos do të blihej nga Interi për të hequr qafe Asllanin. Sot mediat italiane thonë se Kristjan Asllani i Kivu është shumë më lartë se çdo lloj Riçi dhe niveli tjetër të këtij lojtari. Madje “Calciomercato”, media e njohur italiane shkoi edhe më larg duke thënë se tani Interi mund ta largojë pa shumë dhimbje koke Çalhanoglu te Gallatasaraji, pasi Asllani po e zëvendëson denjësisht, ndërsa ka edhe një tjetër opsion si Susiç.
Një Inter i ri i krijuar nga Kivu, ne e kishim thënë, fitorja e parë e një trajneri nga ai paraardhës nuk vjen nga rezultati, por nga transformimi i një lojtari që dikur ka qenë në hije dhe duket se Kivu ka zgjedhur Asllanin. Të gjithë kërkojmë në jetë një Kivu, një njeri të tillë, për të zhbllokuar aftësitë tona dhe për të na ngritur vetëbesimin në një pikë të tillë, sa ndoshta nuk do të njohim më as veten. Asllani nuk po njihet më në fushën e blertë, është Asllani i Kivu, jo i Inzagit.
Lini një Përgjigje