
Fundjava e merkatos së futbollit ka sjellë lëvizje të forta në kampionatet më të mëdha europiane, me Anglinë në qendër të vëmendjes dhe me një rekord historik nga Liverpool.
Liverpooli thyen rekord me Isak
Liverpool ka finalizuar blerjen e sulmuesit suedez Alexander Isak nga Newcastle për një shifër rekord prej 125 milionë paundësh, që me bonuset mund të arrijë deri në 130 milionë. Ky është transferimi më i shtrenjtë në historinë e futbollit britanik dhe një sinjal i qartë se klubi synon të rikthehet fuqishëm në garë për titullin.
Chelsea lë Jackson te Bayern, rikthen Guiu
Chelsea ka lejuar largimin e Nicolas Jackson drejt Bayern Munchen për rreth 70 milionë paund, ndërsa riktheu Marc Guiu nga huazimi te Sunderland për të mbuluar boshllëkun në sulm.
Newcastle dhe Villa aktivizohen fuqishëm
Newcastle ka afruar sulmuesin kongolez Yoane Wissa nga Brentford për 55 milionë paund, ndërsa Aston Villa ka arritur marrëveshje me Liverpool për huazimin e Harvey Elliott, me detyrim blerjeje prej 35 milionë paund vitin e ardhshëm.
Manchester United pastrime në skuadër
Manchester United ka zyrtarizuar disa largime të bujshme, mes tyre Jadon Sancho dhe Antony. Ky i fundit kalon te Real Betis për 21.5 milionë paund me një përqindje fitimi për klubin në shitjet e ardhshme. Ndërkohë, United ka marrë portierin belg Senne Lammens si përforcim.
Serie A dhe La Liga me lëvizje kyçe
Atlético Madrid ka përforcuar repartin ofensiv me transferimin e Nico González nga Juventusi, fillimisht në formë huazimi, por me detyrim blerjeje prej 32 milionë eurosh. Juventus ka vendosur të hapë rrugën për rinovim të skuadrës, duke liruar disa lojtarë me rroga të larta.
Celtic përforcon repartin sulmues
Kampioni i Skocisë, Celtic, ka zyrtarizuar blerjen e sulmuesit belg Michel-Ange Balikwisha nga Antwerp për një shifër prej rreth 5 milionë paundësh, duke synuar të rrisë konkurrencën në ofensivë për garat europiane.
Lini një Përgjigje