
Klubi i Sampdorias i shpëtoi rënies direkte në Serinë C për shkak të situatës me klubin Breshias që u penalizua për shkak të parregullsive financiare. Por gjithsesi, klubi i lavdishëm i cili dikur luante në finalen e Ligës së Kampioneve, do të duhet të luajë ndeshje play-off për mbijetesën me Salernitanën.
Federata Italiane ka publikuar datat e ndeshjeve dhe ka nisur menjëherë shitja e biletave për sfidat. Por me një problem jo edhe aq të vogël për t’u kapërcyer. Shkak janë bërë tifozët e rivalëve historikë të Xhenoas, të cilët janë mobilizuar që të bëjnë maksimumin që të hedhin nga kategoria rivalët e qytetit për të çuar deri në fund poshtërimin e tyre.
Meqë çmimet e biletave janë vendosur të ulëta, ata kanë filluar të blejnë shumë prej tyre, duke u munduar që në ndeshjet e saj, Sampdoria të ketë sa më pak mbështetës në impiant e mundësisht shkallët e stadiumit të mbeten bosh. Por rrengu është zbuluar kur drejtuesit e Sampdorias kanë parë në sistem emrat që kanë përdorur shumë prej tyre për të blerë biletat, duke vendosur shumë ish-lojtarë të kësaj skuadre, apo edhe ish-drejtuesit që sollën falimentimin financiar pak vite më parë.
Sampdoria ka bërë të ditur se do të anulojë të gjitha biletat e dyshimta, por tifozët e Xhenoas janë mobilizuar që të krijojnë sa më shumë probleme për rivalët, ndaj nuk do të ndalin tentativat për të blerë të tilla dhe për të lënë shkallët bosh.
Lini një Përgjigje