TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Maj 2025, 16:46

Nga varësia ndaj alkoolit dhe ringritja, te humbja e babait e lufta me kancerin; jeta e Açerbit si një film

Shkruar nga Pamfleti

Nga varësia ndaj alkoolit dhe ringritja, te humbja e babait e lufta me

Thuhet shpesh se jeta shkruan skenarët më të pabesueshëm. Dhe kur lexon historinë e Françesko Açerbit, nuk mund të mos pajtohesh me këtë.

Në moshën 37-vjeçare, në minutën e 95 të sfidës kundër Barcelonës, ai shënoi golin e tij të parë në Evropë. Dhe çfarë goli! Një gol që barazoi shifrat në 3-3 dhe e dërgoi ndeshjen në shtesa, aty ku Interi siguroi kualifikimin në finalen e Champions League.

Interi do të synojë rikthimin në majat e Evropës pas suksesit të vitit 2010, dhe në skuadër ka një nga më të fortët, jo vetëm në fushë, por edhe në jetë. Historia e jetës së Açerbit nuk është thjesht futboll, por një histori e denjë për film.

Është një sfidë me humbjen, dhimbjen, dhe mbi të gjitha përballjen me vetveten. Nga fillimet e tij modeste në Pavia, tek huazimet në skuadra të vogla si Renate dhe Specia, rrugëtimi i tij kaloi nga Rexhina, Xhenoa e më pas Kievo, ku debutoi në Serinë A. Ëndrra dukej se u bë realitet kur u transferua te Milani.

Por, jeta kishte përgatitur një rrugë të vështirë për mbrojtësin. Humbja e babait e zhyti në depresion dhe i krijoi varësi nga alkooli.

Në një rrëfim prekës, Açerbi u shpreh: “Më dukej sikur kisha harruar si luhej futboll. Alkooli ishte shpëtimi im. Kanceri më shpëtoi. Më dha një arsye të fortë për të luftuar.”

Po, ai u përball me kancerin e testikujve në vitin 2013, pak kohë pas transferimit te Sasuolo. U rikthye pas operacionit, por një test antidoping zbuloi rikthimin e sëmundjes. Pavarësisht se i nënshtrohej kimioterapisë, ai vazhdoi të stërvitej. Vullneti i tij e ktheu në simbol për tifozët dhe më gjerë.

Sot, Françesko është më shumë se një futbollist. Ai është zëri i atyre që luftojnë në heshtje. Ai viziton spitale, flet me fëmijë, jep intervista ku thekson se futbolli është vetëm një pjesë e jetës.

Në një vizitë të kombëtares italiane në një spital pediatrik në Romë, ndërsa të gjithë shokët u larguan, Açerbi qendroi aty duke thënë: “Nuk largohem pa e përfunduar vizitën time. Le të ikin, unë do marr një taksi.”

Pasi gjeti forcën që dëshironte dhe që i nevojitej, nga tetori 2015 deri në janar 2019, ai regjistroi 149 ndeshje radhazi në të gjitha garat, duke humbur vetëm për shkak të një përjashtimi të diskutueshëm.

Në vitin 2017, ai luajti më shumë minuta se çdo lojtar tjetër në Serinë A.

Në verën e vitit 2018, Lacio e bleu atë për të mbushur boshllëkun e lënë nga Stefan de Vraj. Me një prani udhëheqëse dhe aftësi për të ndërtuar lojën nga mbrojtja, ai u integrua në mënyrë të përkryer në sistemin 3-5-2 të Simone Inzagit, përkrah Radu dhe Luiz Felipes.

Lacio atë vit vendosi rekord në mbrojtje, me 16 gola të pësuar. Pas dëmtimit të Kielinit, Roberto Mançini i besoi Açerbit në ndeshjet kualifikuese të “EURO 2020”. Ai nuk e zhgënjeu trajnerin e ekipit kombëtar, madje shënoi golin e tij të parë me Italinë në fitoren 3-0 ndaj Bosnjës.

Tek Interi u transferua në vitin 2022, kur të gjithë mendonin se nuk kishte çfarë të jepte. Menjëherë ai fitoi vendin e titullarit dhe është kthyer në një lider të padiskutueshëm në mbrojtje.

Interi ka probleme kur Açerbi mungon, por kur ai rikthehet në formacion, rikthehet siguria në mbrojtje dhe jep ndihmë të madhe në sulm.

Françesko Açerbi është shembulli për një mesazh të fuqishëm, se gjithmonë ka një dritë në fund të tunelit. Duhet vetëm vullnet për ta parë atë…

 

françesko açerbi futbollisti i interit

Lini një Përgjigje