
Partizani dhe Tirana u ndeshën të hënën në “Air Albania”, për të mbyllur javën e 24 të Superiores. Të Kuqtë triumfuan me rezultatin e pastër 2-0 në derbi përballë bardhebluve, në një sfidë ku ndodhi gjithçka, në fushë dhe në tribuna.
Po ashtu si gjithmonë pati dhe përplasje mes tifozërive, të cilat agravuan aq shumë saqë përfunduan dhe në fushë.
Tre prej tyre janë vënë nën hetim nga policia, pasi akuzohen se kanë hedhur mjete piroteknike në fushën e blertë.
Njëri prej tyre ka hyrë në fushë gjatë kohës kur po zhvillohej ndeshja. Policia bën me dije se ka nisur punën për identifikimin e personave të tjerë që kanë kryer veprime të dhunshme gjatë dhe pas ndeshjes.
Njoftimi i policisë
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 1 referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit A. Xh., 21 vjeç, A. G., 27 vjeç dhe një shtetas 15 vjeç, pasi ditën e djeshme, gjatë ndeshjes së futbollit mes ekipeve Partizani – Tirana, kanë kryer veprime të dhunshme, duke hedhur lëndë piroteknike, ndërsa shtetasi A. G. ka hyrë në fushën ku zhvillohej ndeshja.
Policia vijon veprimet hetimore për identifikimin dhe procedimin penal dhe administrativ, të shtetasve të tjerë kanë kryer veprime të dhunshme dhe kanë lëndë piroteknike, gjatë dhe pas ndeshjes.