
Derbi Partizani-Tirana ka përfunduar me “demat e kuq” që triumfuan mes një atmosfere kaotike, por dhe të mrekullueshme nga ana tjetër.
Si “zakonisht” ndeshja nisi me incident, me tifozët e Tiranës që provokuan kundërshtarët duke qëlluar me kapsolla portierin Rexhepi, veprim ky që nuk la pa u falur nga tifozat e Partizanit, të cilët u kundërpërgjigjën duke hedhur kapsolla në drejtim të portierit Bekaj.
Kjo gjë nuk ndikoi aspak në anën futbollistike. Ndeshja nisi e zjarrtë dhe vetëm pas 20 minutash “demat e kuq” gjetën avantazhin, ku pas një krosimi të bukur në zonën “bardheblu”, nigeriani Christian Mba kërceu më lart se të tjerët duke zhbllokuar sfidën e duke ngritur në këmbë tifozët e “kuq”.
Por fundi i pjesës së parë si dhe fillimi i pjesës së dytë foli vetëm për ultrasit. Flakadanë, fishekzjarre dhe kapsolla të hedhura në stadiumin “Air Albania” detyruan përgjegjësit e sfidës të ndërprenin ndeshjen në 2 momente derisa të arrinin në qetësimin e tifozerive.
Ndërsa për t’i dhënë goditjen fatale Tiranës mendoi i sapofuturi në lojë në minutën e 79’-të, Tedi Cara, i cili vetëm pas 1 minute në fushën e lojës përfiton nga një gabim i mbrojtjes së Tiranës dhe “vulos” fitoren e radhës në “derbin e kryeqytetit”, fitore kjo që e katapulton Partizanin në vendin e parë të renditjes së kampionatit, por me pikë të barabarta me “bardheblutë” e vendit të dytë.