TAGS-AT E JAVËS

Sport 7 Shkurt 2026, 15:33

Penallti e humbur, karton i kuq dhe gol në minutat e fundit; Tirana dhe Dinamo ndajnë pikët në derbin e kryeqytetit

Shkruar nga Pamfleti

Penallti e humbur, karton i kuq dhe gol në minutat e fundit; Tirana dhe

Tirana dhe Dinamo kanë ndarë nga një pikë në derbin e kryeqytetit, të vlefshëm për javën e 23-të të kampionatit “Abissnet Superiore”. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Selman Stërmasi” u mbyll me rezultatin 1-1, pas një sfide të mbushur me emocione dhe episode vendimtare.

Bardheblutë e nisën ndeshjen në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh që në minutën e parë. Falaye shfrytëzoi një moment hutimi në mbrojtjen kundërshtare dhe dërgoi topin në rrjetë, duke i dhënë epërsinë Tiranës.

Dinamo pati mundësinë të barazonte në minutën e 16-të, kur fitoi një penallti, por Dejvi Bregu nuk arriti të shënojë nga pika e bardhë. Situata u komplikua edhe më tepër për blutë në minutën e 33-të, kur mesfushori Goudiaby u ndëshkua me karton të kuq, duke lënë skuadrën e tij me një lojtar më pak.

Pavarësisht inferioritetit numerik, Dinamo nuk u dorëzua. Trajneri Ilir Daja aktivizoi në pjesën e dytë sulmuesin 18-vjeçar nga Gambia, Mustapha Koma, i cili rezultoi vendimtar. Në minutën e 81-të, Koma shënoi një gol të bukur me kokë, duke rikthyer baraspeshën dhe duke shpërblyer besimin e stafit teknik.

Pas këtij barazimi, Dinamo shkon në kuotën e 35 pikëve dhe mban vendin e katërt në renditje. Tirana, nga ana tjetër, me 21 pikë, ngjitet në vendin e tetë, pozicion që e çon skuadrën në zonën “play-out”.

tirana dinamo derbi i kryeqytetit

Lini një Përgjigje