
Përfundon pjesa e parë e finales së Kupës së Anglisë. Supersfida mes Mançester Sitit dhe Mançester Junajtid, e cila po luhet në “Wembley” është mbyllur në barazim 1-1.
“Qytetarët” zhbllokuan ndeshjen që në minutën e parë. Gyndogan provoi me një gjuajtje fluturimthi nga distanca dhe shtangu portierin De Gea.
Ky gol thyen rekordin e mëparshëm të vendosur nga sulmuesi i Evertonit, Luis Saha, i cili shënoi pas 25 sekondash kundër Çelsit në vitin 2009.
Në minutën e 33, Mançester Junajtid barazoi shifrat. Van Bisaka pasoi topin me kokë, i cili u përplas te dora e Grilish. Pas rishikimit nga VAR-i, gjyqtari akordoi 11-metërsh për “Djajtë e Kuq”.
Penalltinë e mori përsipër Bruno Fernandes, i cili u tregua i saktë dhe dërgoi topin në rrjetë.
Mançester Siti pasi ka fituar Premier Ligën, është në garë për të realizuar Tripletën, duke qenë se do të luajë edhe finalen e Champions League kundër Interit më 10 qershor në Stamboll.
Mançester Junajtid, nga ana tjetër, do të kërkojë të prishë planet e kushërinjve dhe ta mbyllin sezonin me një trofe.
Lini një Përgjigje