
Ndeshja e zhvilluar mbrëmjen e djeshme mes Benfikës dhe Realit të Madridit, e vlefshme për fazën “play off” të Ligës së Kampionëve, përfundoi me fitoren minimale 0-1 të skuadrës spanjolle. Megjithatë, rezultati sportiv kaloi në plan të dytë për shkak të incidenteve të raportuara pas përfundimit të takimit.
Sipas pamjeve të transmetuara nga “CBS”, në një përplasje të ndodhur në tunelin e stadiumit është përfshirë edhe presidenti i Benfikës, Rui Kosta. Në raportimin e drejtpërdrejtë u tha se incidenti kishte ndodhur “mes Rui Kostës, president i Benfikës, dhe një pjesëtari të delegacionit të Realit”.
Klubi portugez reagoi më pas me një deklaratë zyrtare, duke mohuar përfshirjen e presidentit në incident. Deri në këtë fazë, nuk ka një qëndrim publik nga ana e Realit të Madridit lidhur me ngjarjen.
Gjatë momentit të tensionuar, në pamje janë vënë re edhe përfaqësues të UEFA-s, të cilët, sipas raportimeve, kanë tentuar të ndalojnë regjistrimin nga kamerat. Ndeshja dhe incidentet e lidhura me të tashmë janë nën shqyrtimin e organit qeverisës të futbollit europian.
Detaje të mëtejshme pritet të bëhen publike pas përfundimit të hetimeve dhe reagimeve zyrtare nga palët e përfshira.
Lini një Përgjigje