Sport22 Mars 2024, 22:44

Shqipëria zhgënjen në miqësoren historike, kuqezinjtë e Silvinjos mposhten nga Kili dhe e nisin me humbje vitin 2024 (Video)

Shkruar nga Pamfleti

Shqipëria zhgënjen në miqësoren historike, kuqezinjtë e

Shqipëria zhgënjen në miqësoren e parë historike përballë Kilit. Kuqezinjtë zhvilluan një 90 minutësh të dobët ku janë mposhtur me rezultatin e pastër 0-3  nga amerikano-latinët.

Eduardo Varga zhbllokoi sfidën në minutën e 20. Një pasim i bukur brenda zonës së kuqezinjve u kap nga Vargas, i cili me një goditje potente dërgoi topin furishëm, në rrjetën e Tomas Strakoshës, duke “shtangur” djemtë e Silvinjos.

Kuqezinjtë protestuan për një prekje të topit me dorë, por gjyqtari bëri shenjë nga qendra e fushës duke e quajtur të vlefshëm golin.

Skuadra e Silvinjos e nisi pjesën e dytë të ndeshjes në përpjekje për të gjetur golin e barazimit, por tentativat e kuqezinjve ishin të lexueshme për kundërshtarët të cilët u vendosën taktikisht në mënyrë perfekte.

Ndërkohë për të ndryshuar diçka në lojën e Shqipërisë, Silvinjo bëri dy zëvendësime. Fillimisht në lojë hyri Armando Broja duke zënë vendin e Rei Manajt, ndërsa pak minuta më pas Nedim Bajrami i bëri vend Ernest Muçit.

Në minutën e 75, Broja “flirtoi” me golin nga fare pranë portës, por pa rezultat, pasi Isla largoi në këndore.

Në minutën e 84, Kili gjeti golin e dytë dhe të qetësisë. Një aksion perfekt i “La Roja” u finalizua më së miri nga “fantazisti” i Kolo Kolo, Marko Bolados, i cili vetëm pak sekonda pasi hyri në fushën e blertë dërgoi topin në rrjetën e Strakoshës, pas një asistimi fantastik të Davila.

Në fundin e sfidës, një gol i Davilas “vulosi” shifrat përfundimtare në 0-3.


Më 26 mars, Shqipëria e drejtuar nga Silvinjo do të luajë miqësoren e dytë; atë përballë Suedisë. Ndeshja do të luhet në stadiumin “Friends Arena” në orën 19:00.

 

shqipëria kili ndeshja miqësore